Liga Profesioniste e Futbollit ka njoftuar se bojkoti qëndron në fuqi. Sipas vendimit të marrë në mënyrë unanime nga klubet e Kategorisë Superiore, ndërsa skuadrat do të vazhdojnë të protestojnë derisa qeveria t’u përmbushë kërkesat.
Këtë të dielë protesta do të vijojë në të njëjtën formë me katër çiftet e radhës të Kategorisë Superiore.
Kapitenët do të dalin në fushë për të lexuar një mesazh për qeverinë e më pas të gjithë lojtarët do të kthehen në dhomat e zhveshjeve.
NJOFTIMI
Liga Profesioniste e Futbollit bën me dije se në vijim të vendimit të marrë në mënyrë unanime nga klubet e Kategorisë Superiore bojkoti qëndron në fuqi dhe skuadrat do të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave drejtuar qeverisë.
Sipas vendimit të marrë edhe në mbledhjen e fundit të Ligës, ditën e shtunë skuadrat e Apolonisë dhe Kastriotit kanë dalë në fushën e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit dhe i janë drejtuar qeverisë me një mesazh të lexuar nga kapitenët e të dy skuadrave. Më pas skuadrat janë kthyer në dhomat e zhveshjeve.
Protesta do të vijojë në të njëjtën formë edhe të dielën me katër çiftet e tjera të javës së tretë të Kategorisë Superiore sipas kalendarit, më konkretisht Teuta – Kukësi, Vllaznia – Tirana, Bylis – Skënderbeu dhe Partizani – Laçi.