Vendosni fjalën kyçe....

“Mbrëmë ishte një tmerr”- Familja Preni në Mazhë të Madhe rrëfen natën e vështirë në çadër


Shumë familje kanë humbur banesat pas tërmetit të 26 nëntorit në fshatin Mazhë e Madhe, në njësinë administrative Bubq.

Një nga familjet që po përjeton ditë të vështira është edhe familja Preni. Në pamundësi për të lënë pronën dhe bagëtitë, familja Preni si shumë familje të tjera nuk ka asnjë zgjidhje tjetër jetese veçse çadrave verore në të cilat jetojnë prej 10 muajsh.

Ish-deputetja e PD, Orjola Pampuri i vizitoi ata ku pa nga afër gjendjen e vështirë me të cilën janë përballur me stuhinë e shiut gjatë këtyre 3 ditëve.

Indrit dhe Desilda Preni thonë se përkundër deklaratave të ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj, ata nuk mund të ikin nga prona e tyre dhe shtëpinë e duan të rindërtohet aty ku e kanë pasur.

BISEDA:

Desilda Preni: Ne jemi familja Preni. Ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj e ka përmendur ne televizor për…familjen tonë domethënë që do të ikin të gjithë. Po unë nuk mund të iki nga vendi im sepse unë kam bagëti, kam vendin tim këtu dhe s’mund të lëviz domethën nga vendi im, nuk e shoh të drejtë këtë gjë. Nuk dua të merrem me llafe politike por e mira është që unë mos të lëviz nga vendi im, këto dua unë. 10 muaj që jetoj në çadër edhe fëmijët janë në kushte të vështira normal që jetes e vështirë është këtu.

Orjola Pampuri: Si e kaluat mbrëmjen?

Desilda Preni: Shumë, shumë me frikë e kaluam mbrëmë që ishte një tmerr, domethënë gjithë ai shi gjithë ajo situatë. Akoma s’ka ardhur dimri mirë jo kur të vijë i ftohti i madh që është më  e vështirë për neve.

Oriola Pampuri: Domethënë ju nuk kërkoni asgjë…

Desilda Preni: Asgjë nuk kërkoj.

Oriola Pampuri: Kërkoni që të rindërtohet shpia juaj këtu ku e keni?

Desilda Preni: Vetëm kërkoj nga shteti që shtëpia të rindërtohet këtu në vend tonë. Kaq duam. Asgjë tjetër!

Indrit Preni:  Peticion kemi bërë, e kena çuar te Bashkia…

Oriola Pampuri: Për çfarë e keni bërë peticionin?

Indrit Preni: Peticionin e kemi bërë për të mos luajtur prej vendit këtu. Me na e bo shpinë këtu në vend.

Oriola Pampuri: Dhe cila ka qenë përgjigjja nga Bashkia që keni bërë peticionin?

Indrit Preni: S’ka, nuk na kanë kthy përgjigje fare. Përgjigje nuk na kanë kthy. Fjalë nuk duam fare, unë dua shpinë, por e du këtu në vend tem.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *