Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Manastirliu: Nga 1 tetori hapen bar-kafet, restorantet dhe pishinat në ambientet e mbyllura


Duke filluar nga 1 tetori do rihapen bar-kafetë, restorantet dhe pishinat në ambiente të mbyllura.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e sigurisë për lehtësimin e këtyre masave për muajt në vijim.

“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”, bën me dije Manastirliu.

Ndërkohë klubet e natës dhe diskot do të vijojnë të mbeten të mbyllura.

Ajo theksoi se zbatimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm ndaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit.

DEKLARATA E MANASTIRLIUT

Shqipëria hyn në javën e 40 të epidemisë së Coronavirusit, një sfidë e vështirë me të cilën po përballemi prej shtatë muajsh.
Dua të falenderoj nga zemra mjekët, infermierët, farmacistët, ekipet e urgjencës, dhe gjithë stafi mbështetës që shërbejnë plot profesionalizëm dhe përkushtim.

Në çdo cep të Shqipërisë, në spitale dhe qendra shëndetësore. Po ashtu dua të falenderoj për kujdesin e treguar në zbatimin e protokolleve të sigurisë në shkolla ne këto dy javë të para të fillimit të vitit shkollor, stafet e institucioneve shkollore, mësuesit dhe nxënësit por edhe të gjithë prindërit.

Një punë e madhe është bërë në terren nga koordinatorët e shkollave në bashkëpunim me NJVKSH për të identifikuar, testuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar, për të ndjekur dhe trajtuar çdo rast të konfirmuar dhe për të shmangur përhapjen e virusit në institucionet arsimore dhe komunitet.

Rikujtojmë edhe një herë të mos neglizhohet në asnjë ditë, kujdesi ndaj masave të higjenës, mbajtja e maskës, pasi periudha e vjeshtës kërkon më shumë angazhim nga të gjitha palët.

Të dashur qytetarë, Gjatë këtyre muajve të luftës sonë të përditshme me virusin, ne nuk i kemi ndalur për asnjë çast përpjekjet tona, duke bërë maksimumin e mundësive për mbrojtjen e shëndetit tuaj.

Kemi siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet tona mjekësore, furnizimet e nevojshme dhe medikamente në spitalet Covid, kemi përgatitur për çdo eventualitet, dyfishimin e kapaciteteve në shtretër duke përfshirë edhe spitalet rajonale, kemi shtuar testimet, gjurmimin dhe kemi fuqizuar ekipet e epidemiologëve të terrenit, për të zbatuar sa më me efikasitet strategjinë tonë të kufizimit të përhapjes së koronavirusit.

Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve në ambiente të mbyllura, bar-kafeve dhe pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt.

Besoj të gjithë biem dakort se respektimi i rregullave dhe protokolleve të sigurisë është KUSHT I PANEGOCIUESHËM për të vijuar pa ndërpreje aktivitetet e biznesit dhe të shërbimeve dhe që ekonomia të mos cënohet nga kufizimet e detyruara për shkak të ruajtjes së shëndetit publik.

Sjellim në vëmendje se do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin Korrik, të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji. Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, Policia e Shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e masave dhe protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi në rast të shkeljes së protokolleve me qëllim mbrojtjen e shëndetit tuaj. Gjatë këtyre muajve kemi mësuar sesi mund të përballemi me këtë virus. Mbi të gjitha, mësuam se nëse duam ta luftojmë këtë virus duhet që të jemi të bashkuar në një front, autoritetet shëndetësore dhe qytetarë. Nëse duam që ne vetë, njerëzit tanë më të dashur, të dalin të padëmtuar nga kjo luftë, duhet që të vazhdojmë të zbatojmë me përgjegjshmëri rregullat e thjeshta të distancimit social, higjenës dhe mbajtjen e detyrueshme të maskës. Nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen, që ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe tek çdo qytetar, duke vënë shëndetin të parin!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *