Princi i Uellsit ka shprehur shqetësimin e tij për ndikimin e pandemisë tek të rinjtë, duke thënë se kjo është një “kohë veçanërisht e vështirë për të qenë i ri”.
Në një artikull të rrallë të botuar në Sunday Telegraph, princi Charles sugjeroi se mund të kishte një milion të rinj “që kishin nevojë për ndihmë urgjente”.
Ai tha se sfida për të ndihmuar ata në nevojë ishte “pa dyshim e madhe, por nuk është e pakapërcyeshme”.
Ka pasur shumë paralajmërime për ndikimin e virusit tek të rinjtë.
Studiuesit paralajmërojnë se boshllëqet në arsim midis nxënësve më të pasur dhe të varfër janë thelluar gjatë bllokimit, ndërsa ekspertët besojnë se rënia e kontaktit ballë për ballë mund të dëmtojë adoleshentët në planin afatgjatë.
Gjithashtu shifrat tregojnë se të rinjtë janë goditur më rëndë nga papunësia.
Princi Charles tha: “Për këdo kjo është një kohë e vështirë – por është një kohë veçanërisht e vështirë për të qenë i ri”.
Ai e krahasoi situatën aktuale me “herë të tjera kur shpresa ishte e pakët” – duke përmendur shqetësimet mbi papunësinë e të rinjve në vitet 1970 që e shtynë atë të krijonte organizatën e bamirësisisë – Prince’s Trust.
Organizata e tij ndihmon njerëzit midis moshave 11 dhe 30 vjeç të kërkojnë mundësi punësimi dhe aftësi jetësore.
“Këtë vit, ne festojmë faktin se gjatë gati 45 viteve të fundit, ne kemi ndihmuar një milion të rinj për të ndryshuar jetën e tyre për më mirë”- tha ai.
Por ai shtoi: “Megjithatë, nuk ka pasur kurrë një kohë kaq unike e sfiduese sa e tanishmja, kur pandemia ka lënë ndoshta edhe një milion të rinj të tjerë që kanë nevojë për ndihmë urgjente për të mbrojtur të ardhmen e tyre.”
Princi Charles, i cili vetë e ka kaluar virusin, ngriti një fond për të siguruar mbështetje shtesë për të rinjtë e prekur nga ndikimi i virusit.