Çmimet e banesave u rritën edhe në periudhën më të keqe që ekonomia ka përjetuar prej rreth 23 vjetësh. Mund të tingëllojë një paradoks, por sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi, llogaritur nga Banka, shënoi rritje me 4.9% në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Në veçanti për tregun kryesor, Tiranën, çmimet u rritën edhe më shumë se mesatarja kombëtare, me 6.5%. Çmimet mesatare në Tiranë raportohen të rritura ndjeshëm në zonat jashtë qytetit, ndërsa janë raportuar rënie të lehta në zonat qendrore dhe periferi.
Zonat bregdetare raportuan çmime mesatare rreth 15% më të ulëta, ndërsa zonat e tjera shfaqën ndryshime të vogla. Edhe çmimet e qirasë për gjysmën e parë të vitit raportohen të rritura.
Për sa u takon transaksioneve, agjentët dhe firmat e ndërtimit janë përgjigjur se vëllimet e shitjeve kanë rënë lehtë në rang vendi, por janë rritur në zonat qendrore dhe jashtë qytetit të Tiranës.
Paralelisht, agjentët raportojnë numër më të ulët banesash të reja të regjistruara në librat e tyre. Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 10.3 muaj dhe shënoi rritje të lehtë ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 10.4 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar.
Sipas agjentëve, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rënie në krahasim me vlerën prej 65% të raportuar në periudhën paraardhëse.
Megjithëse bankat raportojnë shtrëngim të standardeve të huadhënies, statistikat tregojnë një nivel në rritje të tepricës së kredisë për pasuri të paluajtshme. Stoku i kredisë për blerje pasurish të paluajtshme nga sektori i individëve arriti në 112 miliardë lekë për gjysmën e parë të vitit 2020 dhe ishte rreth 3% më i lartë krahasuar 2019.
Megjithëse tregu nuk pa pësuar pasoja dramatike nga mbyllja e ekonomisë, agjentët kanë pritshmëri negative për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër. Megjithatë, ata janë optimistë për periudhën më afatgjatë deri në dy vjet.
Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme dhe ndërtimin, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75-80% të xhiros së tregut.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor