Kanë dalë rezultatet e Referendumit në Zvicër dhe votuesit zviceranë e kanë refuzuar propozimin për t’i dhënë fund marrëveshjes me BE që lejon lëvizjen e lirë të njerëzve.
Me të gjitha votat për referendumin të numëruara, BBC shkruan se gati 62% e votuesve thanë se donin të mbanin lëvizjen e lirë, ndërsa 38% ishin kundër.
Zvicra nuk është një vend anëtar i BE-së, por ka një seri traktatesh të ndërvarura me Brukselin të cilat i lejojnë të hyjë në zonën e tregtisë së lirë të Evropës.
Propozimi u bë nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) me qëllim për të frenuar imigracionin por u kundërshtua nga qeveria.
Një iniciativë e ngjashme për të futur kuota për emigrantët nga BE-ja në Zvicër kaloi ngushtë në një referendum të vitit 2014, duke dëmtuar marrëdhëniet Zvicër-BE.
Zvicerianëve u jepet fjala e drejtpërdrejtë nën sistemin e demokracisë së drejtpërdrejtë të vendit. Ata ftohen rregullisht të votojnë për çështje të ndryshme në referendume kombëtare ose rajonale. Mbështetësit e planit kundër lëvizjes së lirë thanë se ai do të lejojë Zvicrën të kontrollojë kufijtë e saj dhe të zgjedhë vetëm emigrantët që dëshiron.
Por kundërshtarët argumentuan se kjo do të zhyste një ekonomi të shëndetshme në recesion në një kohë të pasigurt dhe do të privonte qindra mijëra qytetarë zviceranë nga liria e tyre për të jetuar dhe punuar në të gjithë Evropën.