Ashtu siç zbuloi presidenti i Prishtinës Remzi Ejupi në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” në Supersport, ish kapiteni i Tiranës Gentjan Muça i është bashkuar zyrtarisht klubit nga kryeqyteti i Kosovës.
Ish kapiteni i bardhebluve ka ndërruar kryeqytet dhe skuadër, por jo ngjyrën e fanellës, ndërsa vlen të theksohet se edhe objektivi është i njëjtë me atë të Tiranës, pasi edhe Prishtina synon të rikthehet te titulli kampion.
Qendërmbrojtësi 33-vjeçar është prezantuar zyrtarisht sot te klubi i Prishtinës dhe ka dhënë edhe intervistën e parë ku ka shprehur lumturinë që do të jetë pjesë e kryeqytetasve dhe është besimin se skuadra mund të fitojë titullin kampion këtë sezon.
“Janë lëvizje që e pasojnë njëra tjetrën. Gjithsesi, pa dashur të merrem me të kaluarën, dua të fokusohem për të ardhmen. Pra, tek Prishtina. Jam i lumtur që gjendem këtu, në këtë qytet, kryeqytet – ashtu sikurse edhe Tirana, dhe jam shumë i emocionuar për aventurën e re”.