Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në Ditën Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore është zotuar sërish se do rindërtojë Teatrit Kombëtar.
Basha thotë se në këtë ditë të rëndësishme për kulturën, vendi ynë është pa Teatër Kombëtar për shkak të regjimit barabar dhe urrejtjes së qeverisë.
“Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Shqipërinë pa Teatrin Kombëtar, që u shemb nga regjimi si dëshmi e barbarisë dhe urrejtjes që kjo qeveri ushqen për vlerat dhe institucionet e kombit tonë.
Teatri Kombëtar nuk ishte thjesht një institucion i kulturës dhe një gjurmë elegante e trashëgimisë tonë. Falë rezistencës së artistëve, aktivistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës, ai u shndërrua në një vijë ndarëse ndërmjet regjimit dhe qytetarisë.
Rikonfirmoj angazhimin tim personal dhe të Partisë Demokratike se Teatrin Kombëtar do ta rindërtojmë siç ishte aty ku ishte dhe ata që e sulmuan dhe e shembën brutalisht do të dalin përpara drejtësisë për këtë krim të rëndë ndaj kulturës, qytetarisë dhe mënyrës tonë të jetesës”-shkruan Basha.