Tre muaj pas shkarkimit, ish-gjyqtarja e Apelit në Tiranë, Fatmira Hajdari ka apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Posaçëm të Vetingut ku kërkon rikthimin në detyrë.
KPA e ka regjistruar padinë e zonjës Hajdari në 21 shtator 2020, përmes të cilës kërkon rrëzimin e vendimit të shkarkimit nga detyra.
Hajdari kërkon nisjen e hetimit nga e para për pasurinë, pastërtinë e figures dhe vlerësimin e saj për aftësitë profesionale.
Kujtojmë se gjyqtarja Hajdari u shkarkua nga detyra në 18 qershor, për shkak të problemeve me pasurinë.
Trupa gjykuese tha se gjyqtarja nuk justifikonte një pasuri me rreth 1 milionë dollarë dhe se kishte fshehur heqjen e vizës amerikane. Vendimi u mor nga gjyqtarët Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.
Ndërkohë, trupa e KPA-së që do të shqyrtojë kërkesën e Hajdarit përbëhet nga Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Ina Rama dhe Sokol Çomo.