Pas Bashës, kryeministri Rama ka mbajtur një konferencë për mediat.
Gjatë fjalës së tij ai bëri disa premtime duke e nisur me pagat e mjekëve dhe mësuesve. Kreu i qeverisë tha se vendimi përfundimtar do merret javën që vjen.
“Javën tjetër do të kemi vendimin final për pagat e mjekëve, infermierëve dhe mësuesve. Ky refuzim për të konsideruar shifrat dhe përqeshja e shifrave në emër të popullit është bërë një sëmundje që duhet kuruar nga gjithësekush.” – tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë shtoi se qeveria e tij është duke përgatitur një plan për lehtësimin e barrës te biznesi si dhe mundësinë e vendosjes së taksës progresive.
“Ne po bëjmë një sërë studimesh. Masat e marra nga qeveria, janë masa që merren në bazë të mundësive. Si kemi pasur dje mundësitë që kemi sot. S’mund ta ulnim dje tatim-fitimin. Fakti që sot e bëjmë, s’ka lidhje që po vijnë zgjedhjet. Por kemi krijuar mundësitë. Sapo të jemi gati, do ta ndajmë me ju, që të lehtësojmë barrën e taksës progresive.” – theksoi ai.
Kreu i qeverisë ceku edhe çështjen e aeroportit të Kukësit, për të cilin tha se nuk do ndalet derisa ai të përfundojë.
“Sot mora një informacion tjetër të detajuar për aeroportin e Kukësit dhe unë jam i bindur nëse larg qoftë, ndonjë forcë maxhore nuk do ndërhyjë në formën e një pengese objektive kuksianët nga Londra që janë tallur dhe më kanë përqeshur në ‘Facebook’ pafund për aeroportin do t’i marr nga Londra dhe do t’i ul në Kukës unë. Do t’i sjell nga Londra të votojnë PD-në në Kukës me avion në aeroportin e Kukësit. Do t’i sjell që të votojnë PD-në. Kështu që PD-ja do ketë nga unë 120 vota në Kukës falas, jo nga ato me pagesë që ishte mësuar të bënte kur kishte kompani private ajrore.” – tha Rama.