Vendosni fjalën kyçe....

Shkeljet e Elona Toros, karriera e Komisionerit Publik që duhet të ankimojë vendimin varet nga bashkëshorti i gjyqtares anëtar i KLGJ


Brenda javës së parë të tetorit përfundon afati për ankimimin në KPA nga komisioneri publik të vendimit jo-unanim të shkallës së parë të vettingut, që konfirmonte në detyrë gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Elona Toro. Nga praktika e deri më tanishme, vendimet jo-unanime të komisionit të pavarur të kualifikimit janë apeluar. Por ankimimi ose  jo nga komisioneri publik, i vendimit për gjyqtaren Elona Toro gjendet në fije të perit, pasi shkarkimi ose vazhdimi i karrierës në sistemin e drejtësisë për gjyqtaren e Apelit të Tiranës është i lidhur drejtpërdrejt me karrierën e njërit prej dy komisionerëve publikë, që kanë për detyrë apelimin e vendimit të vettingut, shkruan BalkanWeb.

Komisioneri publik, Dariel Sina kandidon për vendin e katërt vakant në Gjykatën e Lartë nga radhët e jo-gjyqtarëve. Ndërkohë çështja gjendet në konflikt të pastër interesi, pasi dosja e zotit Sina në Këshillin e Lartë gjyqësor që administron kandidaturat ka pasur si relator pikërisht bashkëshortin e gjyqtares Elona Toro, z. Alban Toro.

Ky i fundit vërtet ia ka kaluar një tjetër anëtari të KLGJ-së dosjen e z. Sina, por një pjesë e mirë e punës tashmë është përgatitur dhe frika është se kryqëzimi i dy karrierave, mund të çojë në një vendimmarrje të padrejtë nga komisioneri publik duke mos apeluar vendimin dhënë nga KPK për Elona Toron.

Kjo e fundit kaloi në shkallën e parë të vettingut me një vendim jo-unanim të komisionit, por publikimi i vendimit zbuloi një sërë problemesh me pasurinë dhe anën profesionale të gjyqtares së Apelit të Tiranës. Sipas anëtares Etleda Çiftja, gjyqtarja Elona Toro ka bërë deklarime të ndryshme për pasurinë, ndërkohë thotë se subjekti rezulton me dhurime parash dhe hua prej mijëra eurosh të marra tek miqtë që dhe nuk justifikohen.

Zonja Çiftja thotë se Elona Toro duhet shkarkuar nga detyra edhe për aspektin profesional pasi gjyqtarja e apelit të Tiranës ka një mënyrë pune e cila nuk pajtohet me pozicionin e saj. Ndërkohë sipas vendimit të zbardhur të KPK katër nga 5 dosjet e zgjedhura për t’u vëzhguar nga KPK, kanë rezultuar me probleme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *