Vendosni fjalën kyçe....

Spostimi i adresave të votuesve me bindje djathtas, Lleshaj: Lajme të rreme, nuk ka asnjë ndryshim


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar sot pas një denoncimi në emisionin investigativ “BOOM” për spostimin e qendrave të votimit të votuesve me bindje të djathta.

Sipas programit televiziv, votuesit me bindje të djathta po zhvendosen pa dijeninë e tyre në Njësi të tjera Administrative.

Por Lleshaj e mohoi këtë duke thënë se është lajm i rremë. Ministri tha se qytetarët do të vazhdojnë të votojnë në qendrat përkatëse ku kanë votuar herën e fundit.

“Procesi i përditësimit apo saktësimit të adresave NUK prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qytetarët do të vijojnë të votojnë në qendrat e tyre të mëparshme. Sa i përket lajmeve të rreme, me duhet të them se organet përgjegjëse do të thellohen në verifikimet dhe hetimet përkatëse, me qëllim që të parandalohen apo goditen ligjërisht të gjitha përpjekjet e paligjshme për të krijuar konfuzion, për të intimiduar apo për të ndikuar në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Ftoj me ketë rast mediat dhe aktorët e tjerë publikë apo politikë që të distancohen nga tentativat për përhapjen e lajmeve të rreme në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve si dhe i inkurajoj ato që të verifikojnë paraprakisht në burime të pakontestueshme, ku përfshihen edhe institucionet përgjegjëse ligjore, informacionet që lidhen me çështje kaq të rëndësishme, ku dezinformimi dëmton dukshëm interesin publik.
Për këtë arsye bëhet logjikisht i pamundur komenti mbi pretendimin se kjo gjë po u ndodh votuesve të djathtë. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët. Asnjë! Dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim arbitrar të qendrave të votimit. Në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet pas disa ditësh, saktësisht më datën 5 tetor 2020, dhe të gjithë do kenë mundësinë të verifikojnë këtë të vërtetë të thjeshtë.
Kjo është e vetmja e vërtetë për këtë trillim të turpshëm mediatik. Por siç thashë në krye të herës, trilluesit e lajmit e kanë përdorur të gjithë teknologjinë e tyre të mashtrimit duke e paketuar gënjeshtrën me një tjetër të vërtetë. Pak a shumë sipas logjikës, tani nuk ka diell pasi këta e kanë vjedhur atë. Në fakt është e vërtetë se tani nuk duket dielli, por kjo nuk do të thotë se e ka vjedhur kush atë”, deklaroi Lleshaj.

Sipas tij, qytetarët e paraqitur si votues të djathtë dhe të përdorur për të ilustruar mashtrimin publik kanë thënë të pa vërteta.

Ai tha më tej se adresat në qytetet e vendit tonë, ndryshe nga vendet normale, për shumë vite jepeshin si përshkrime udhëtimi përmes paragrafëve të tilla si: Tek “Pallati me Shigjeta…”

E ndërgjegjshme për këtë gjendje të papranueshme siç e quan ai, Lleshaj thotë se qeveria në kuadër të përpjekjes për rindërtimin e shtetit, është angazhuar në hartimin dhe zbatimin e një sistemi adresash, i cili është parakusht për qeverisje efektive.

Në këtë kuadër, në vitin 2016 u bënë ndryshime në Ligjin për Sistemin e Adresave dhe në vijim u morën masa për zbatimin e tij në terren.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *