Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Azem Hajdarit, rrëfimi i plotë i Sali Berishës në 12 pjesë (Video)


Mbrëmjen e djeshme, gazetari Blendi Fevziu, riktheu në ‘Opinion’ çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit, pranë selisë së PD-së në datën 12 shtator 1998.

I ftuar për të folur për ngjarjen ishte edhe ish-kryeministri Berisha, i cili dha një dëshmi prej rreth 30 minutash mbi atë që ai e ka quajtur edhe më herët ‘Krimi i Shekullit’ i ndodhur në Shqipëri.

Në rrëfimin e tij, i pyetur nga gazetari, Berisha tregoi gjithçka kishte ndodhur para, gjatë dhe pas krimit të rëndë, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta në drejtim të shtetit të asaj kohe si porositësin dhe organizatorin e ekzekutimit të Hajdarit, mes të cilëve përmendi me emër ish-kreun e Shërbimit Informativ, Fatos Klosi.

Po kështu ai pohoi se ekzekutorët e Azen Hajdarit u vranë nga shteti me anë kombinimesh të ndryshme, duke përfshirë familjet e viktimave të Haklajve.

Gjatë rrëfimit të tij, të ndarë në 12 pjesë, ish-kryeministri pohoi se nuk ishte thirrur asnjëherë në prokurori apo gjykatë për të dëshmuar lidhur me ngjarjen.

Ai lëshoi akuza në drejtim të familjes Haklaj në Tropojë, të cilët e akuzoi si bande terroriste shtetërore.

Ndër të tjera, Berisha rrëfeu marrëdhënien e tij më Azem Hajdarin, telefonatën që e kishte nxjerrë Hajdarin jashtë selisë së PD-së dhe dëshminë e simpatizantëve demokratë lidhur me vrasjen.

Në fund, ish-kreu i PD-së, tha se rihapja e procesit është veprim politik që ka të bëjë me zotimin e kryeministrit Rama për të liruar nga burgu Jaho Salihin, një nga personat që është dënuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit dhe është dënuar me burg përjetë.

Azem Hajdari u vra mbrëmjen e 12 shtator 1998. Salihi është i vetmi person i gjallë që ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur është vrarë Hajdari. Fatmir Haklaj u vra në një atentat mbrëmjen e 4 nëntorit 1999 ndërsa Naim Çangu është vrarë aksidentalisht nga Haklaj, mbrëmjen e ekzekutimit të Azem Hajdarit.

Rrëfimi i Berishës në 12 pjesë

Berisha për gjykatën

Nuk jam thirrur në mënyrë absolute asnjëherë, kurrë ne jetën time, as në gjykatë as në prokurori. Nuk kam marrë asnjëherë asnjë fletëthirrje. Fatos Klosi dhe ish-bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, bënin lojë se thërrisnin por s’më thërrisnin dot për dy fakte. E para unë do u bëja pretencë politike. E dyta unë nuk isha dëshmitar okular. Së treti, vetëm në harkun kohor 12 orë unë kam bërë tre konferenca shtypi. Kam denoncuar publikisht çdo të dhënë që ka ardh, kam denoncuar publikisht vrasjen shtetërore.

Berisha për Haklajt

Çfarë ishte banda terroriste Haklaj. Ishte ajo një bandë kriminale e zakonshme?. Jo. Ajo ishte një bandë shtetërore, me spaleta. Kapiten, major, nën Kolonel. Bandë ishte edhe Zani Çaushi, po ai nuk u bë shef komisariati. Bandë ishte edhe Gjolekë Malaj po s’u bë shef komisariati. Vrasësit Haklaj morën komisariatin vetëm e vetëm për t’u hakmarrë në emër të regjimit që u përmbys me Tropojën e Azem Hajdarin e të tjerë. E vrau shteti Azem Hajdarin.

Berisha për Fatos Nanon

Së pari ne kemi patur një informacion se vrasësit e Azem Hajdarit atë ditë në drekë kanë pritur në aeroport Fatos Nanon. A akuzova Fatos Nanon sepse pas vrasjes ne i kemi ndjekur me degët tona vrasësit e bandës terroriste. Nga Lapraka deri në Bajram Curri asnjë postbllok policie, jo vetëm s’i ka ndaluar por i ka nderuar. Na u tha se janë njoftuar të gjitha postblloqet që t’i ndalojë. Nano nuk veproi. U formuluan akuza për Krime kundër Njerëzimit ndaj gjashtë drejtuesve të PD-së. Fatos Nano tha ose faktohen këto akuza ose unë jap dorëheqjen. Historia më vonë tregoi, në vlerësimin tim se ai nuk ishte personi i lidhur direkt.

Berisha për Fatos Klosin

Po a kishte lidhje shefi i Shërbimit Informativ me vrasjen? Ata që organizojnë atentate kanë gjithmonë informacione. A mund të më thoni pse ia mbathi të nesërmen në Himarë. Pasi rregulloi azilin e Fatosit në Maqedoni, për vete zgjodhi Himarën.

Berisha për vrasjen e Hajdarit

Azem Hajdari kërkohej të vritej nga shteti. Ata janë përpjekur në mënyrën më kriminale ta paraqesin si një sherrnajë. Azem Hajdari, familja e Azem Hajdarit, rrethi i Azem Hajdarit s’kanë patur kurrë deri ditën që është vra asnjë sherr më të vogël me bandën kriminale të Haklajve. Azem Hajdari ka qëllue politikisht kundër terrorit, vrasjeve politike që kjo bandë kryente në Tropojë. Më shumë se në çdo luftë që ka përjetue Tropoja nga 1915. Shteti kërkonte ta vriste nëpërmjet këtyre. Hajdari nuk kishte asnjë problem personal me asnjë prej Haklajve, me asnjë prej bandës së tyre, kishte problem parimor terrorin politik dhe dhunën.

Unë i thashë: “Azem, këta kanë porosi dhe janë në zbatim të saj. Mirë është të zhdukesh diku gjashtë muaj.”

Me rregullin e vjetër ka dy mënyra. O të fshihesh, o të qëndrosh. I kishin dalë në pritë edhe te shtëpia para 10 ditësh. Ata ishin vrasësit e shtetit.

Berisha për Haklajt 2

Kërkova që policia të merrte Fatmir Haklajn, sepse ishin bandë e armatosur dhe ne po shkonim në Tropojë për fushatë. Kam kërkuar të kapet e të sillet urgjentisht në Tiranë një bandit që qëllon me armë dhe prish rendin.

Berisha për dëshmitarët e vrasjes së Hajdarit

Kam besim të plotë kam te deklaratat e të tjerëve. U jam mirënjohës të gjithë atyre që me një përgjegjësi të jashtëzakonshme vërshuan të ndërtonin ngjarjen dhe të denonconi gjithçka. Ata edhe mund të heshtnin dhe që e dinin se ajo mund t’u kushtonte. Erdhën dhe asnjë prej tyre nuk ka gënjyer. Deklarata ime ishte deklaratë dhe jo e njeriut që i ka parë gjërat. Hetimi i ka provuar deklaratat të gjitha të vërteta dhe ka shtuar të tjera. Ato që kanë dëshmuar te unë aktivistë të PD-së, ato ajnë verifikuar nëpërmjet dëshmitarëve nga hetimi dhe janë në dosje të gjitha. Dosje që ka kaluar tre shkallë dhe që ka shkuar në Strasburg dhe s’i është prek materia aspak.

Berisha për Fatos Klosin (Telefonata)

Në pritë nëse më pyet mua e nxorri Fatos Klosi. Kurth. Në deklaratën time është thënë personi që më erdhi në zyrë dhe më tha: Unë e vrava Azem Hajdarin. Sepse kështu më ndodhi, tha. Më mori në telefon filani më tha, thuaji Azemit se është një makinë diku aty. Po mirë i thashë unë, kjo nuk qëndron, s’e ke vra ti. Ai ishte i tronditur. Ky ishte një militant i PD-së. Kurthin e organizoi, e serviri, Shërbimi Informativ. Kishte një radio aty, të Shërbimit Informativ, jo të policisë. Në makinën nga e cila u qëllua, nga ku dolën vrasësit.  Çuan një lajm të tillë dhe ky lajm i shkoi Azemit. Pse doli Azemi. Ai bëri një vlerësim të gabuar që doli. Ai nuk ra në kurth nga persona të brendshëm të PD-së. Unë nuk besoj që të ketë qenë telefonatë e të afërmve të Azem Hajdarit. Unë besoj që ky variant që më është treguar ka të vërtetën brenda. Vrasësit morën telefonin e Azem Hajdarit.

Berisha për vrasësit e Azem Hajdarit

Vrasësit e Azem Hajdarit kryen krimin e shekullit dhe duhet të zhdukeshin. Ata që vrazë Azemin i zhdukën ekzekutorët e Azemit. Haklajt ishin banda më terroriste në historinë e veriut. Kurrë Tropoja nuk njeh në historinë e saj një bandë vrastare, përdhunuese, plaçkitëse, barbare si kjo bandë. Pasi kryen misionin ata duheshin zhdukur. I zhduku shteti. Vetëm shteti mund të vendoste një seri minash njëra pas tjetrës. Shteti duke bërë kombinime me familjet e viktimave. Familjet e viktimave ishin ta angazhuara me të gjithë potencialin e tyre duke qenë se shteti nuk i dënonte ekzekutorët. Po të donte shteti të mos zhdukeshin i arrestonte. Do ishin të gjithë gjallë sot si Jaho Salihi në burg.

Berisha për raportet me Hajdarin

Akuzat se unë kam pasur dorë në zhdukjen e Azem Hajdarit janë të atyre që duan të mbulojnë krimin e shëmtuar që kryen. Unë marrëdhëniet me Azem Hajdarin i kam pasur nga më të shkëlqyerat.

Berisha për rihapjen e gjykimit

Unë e kam kryer detyrën time, kam dhënë një deklaratë që është  shtërruese për ato që kam ditur. Ky është një proces i dytë politik. Edi Rama hakmerret për Nexhmie Hoxhën, për Kristaq Ramën, për veten e tij që shkoi në bunker me datën 20 shkurt. Hapet procesi vetëm për të nxjerrë nga burgu vrasësin e kushedi sa personave, që është Jaho Salihi dhe për të nxjerrë jashtë pjesëmarrësin në këtë vrasje sipas të gjitha dëshmive, Izet Haxhinë. Qëllimi i Edi Ramës është të realizojë atë skenar. Rama ka marrë përsipër që të nxjerrë nga burgu Jaho Salihin sepse kreu krim në emër të baballarëve të tij. Nuk e fal dot ai natën e bunkerit ku u fut kur u detyrua të ikë nga Tirana. Të hapësh një proces që ka kaluar të gjita shkallët, përfshi edhe Gjykatë Kushtetuese. Që ka kaluar edhe në Strasburg.

Berisha për dosjen ‘Hajdari’

Si ekzekutorë janë të gjithë të dënuar. Të ekzekutuar në mënyra të ndryshme. Unë nuk di të ketë qenë njeri tjetër. Porositësi i vrasjes së Azem Hajdarit është absolutisht shteti. Për mua Fatos Klosi, i cili të thotë vetë që unë e paralajmëroja. Nëse një komisar policie kërcënon dhe vendos të vrasë një deputet në çdo vend të botës ai arrestohet. Shteti të arreston. Jonuz Hyka dhe Gani Malushi e paguan me jetë se guxuan t’u thonë padronëve të vrasësve për bandën e Haklajve dhe krimeve të saj në Tropojë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

Rrëfimi i Berishës nga minuta 19:20 deri në minutën 47:15


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *