Vendosni fjalën kyçe....

Fyerje nga fillimi në fund – Si shkoi debati i parë presidencial mes Trump-it dhe Biden-it


Presidenti Donald Trump dhe sfiduesi i tij Joe Biden janë përplasur ashpër në një nga debatet më kaotike dhe më të egra të Shtëpisë së Bardhë në vite.

Mes të bërtiturave, të dy debatuan për pandeminë, supremacinë e të bardhëve dhe ekonominë gjatë forumit 90 minutësh të mbajtur në Cleveland, Ohio.

Biden e quajti presidentin një “klloun” dhe i tha atij të “heshtte“. Ndërsa Trump i përmendi rivalit të tij përdorimin e drogës.

Disa sondazhe sugjerojnë se Biden ka një epërsi të qëndrueshme me një shifër ndaj Trump-it. Por, me 35 ditë deri në ditën e zgjedhjeve, sondazhet nga disa shtete të rëndësishme tregojnë një garë më të afërt. Kemi parasysh këtu që sondazhet jo gjithmonë tregojnë realitetin, siç ndodhi dhe në zgjedhjet e vitit 2016.

Debati u përqendrua në gjashtë tema në segmente 15 minutëshe – të dhënat e kandidatëve, Gjykata e Lartë, pandemia, raca, integriteti i zgjedhjeve dhe ekonomia.

Në një radhë të gjatë fyerjesh ndaj njëri-tjetrit, Biden i tha Trump-it se ai ishte “presidenti më i keq që Amerika ka pasur ndonjëherë”.

Si u përplasën ata për supremacinë e të bardhëve?

Në një nga çështjet më të përfolura të natës, presidenti u pyet nga moderatori nëse ishte i gatshëm të dënonte supremacistët e bardhë.

Ai fillimisht tha se do ta bënte, por kur iu kërkua të denonconte me emër grupin e “djemve krenarë” të ekstremit të djathtë, ai nuk e bëri këtë.

Biden tha: “Ky është një president i cili ka përdorur gjithçka si bilbil, për të gjeneruar urrejtje raciste e ndarje raciste”.

Trump-i e kundërshtoi duke i kujtuar Biden-it, se ai ndërsa mbështeste projekt-ligjin e krimit të vitit 1994, iu ishte referuar Afrikano-Amerikanëve si “super grabitqarë”.  Demokrati e mohoi ta kishte thënë një gjë të tillë.

Trump i tha Biden-it gjithashtu: “Ju nuk mund të thoni as fjalën ‘zbatim ‘iligjit’ sepse nëse i thoni ato fjalë do të humbisni të gjithë mbështetësit tuaj të majtë radikalë.”

Çfarë thanë ata për koronavirusin?

Biden e kritikoi udhëheqjen e Trump-it për pandeminë e koronavirusit, e cila ka vrarë më shumë se 200,000 amerikanë.

“Ai u kap nga paniku ose pa tregun e aksioneve”- tha demokrati për presidentin, i cili dëshiron që shtetet të rihapin ekonomitë e tyre.

“Shumë njerëz vdiqën dhe shumë më tepër do të vdesin nëse ai nuk bëhet shumë më i zgjuar, shumë më shpejt”- tha Biden.
Trump e kundërshtoi për përdorimin e fjalës “i zgjuar”, duke i kujtuar se në shkollë ai vetë nuk kishte qenë mirë me mësime.

“Ju jeni diplomuar ose i fundit ose pothuajse më i fundit në klasën tuaj”- tha presidenti. “Mos e përdor kurrë fjalën i zgjuar me mua. Mos e përdor kurrë atë fjalë.”

Rregullat kërkonin që të gjithë në dhomën ku zhvillohej debati të mbanin maska, por nga anëtarët e familjes së presidentit të pranishëm, vetëm Zonja e Parë Melania Trump e përdori një të tillë.

Fyerje papushim

Ndërsa të dy bisedonin për kujdesin shëndetësor, Trump e akuzoi rivalin e tij se ishte i mundur nga socialistët në partinë e tij, duke thënë: “Ata do të mbizotërojnë mbi ty, Joe, ti e di këtë”.

“Tani për tani unë jam partia Demokratike”– u përgjigj Biden, i cili më pas shtoi: “Të gjithë e dinë se ai është një gënjeshtar”.

Presidenti më pas mbrojti përpjekjen e tij për të emëruar sa më shpejt një gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Ai i kërkoi Biden-it të përmendë një listë të emrave të tij me gjyqtarë. Por Biden ia këputi: “A do të heshtësh mor burrë?”.
Në një pikë tjetër të bisedës, demokrati tha: “Është e vështirë të thuash ndonjë fjalë me këtë klloun. Më falni, këtë person”.

Ai gjithashtu e quajti presidentin “këlyshi i Putinit” duke iu referuar presidentit rus.

VINI RE: Ky artikull është shkëputur me shkurtime nga BBC


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *