Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar ndaj sulmeve të opozitës së bashkuar për çështjen me zhvendosjes së adresave të disa qytetarëve.
Lleshaj në një reagim në rrjetet sociale thotë se zëdhënësit e kanë gabim por injoranca nuk mund të jetë alibi.
“Një zëdhënës i PD nxitoi të reagonte shpejt, pra edhe gabim, për statusin tim lidhur me listat e zgjedhësve.
E vetmja gjë me vlerë në atë reagim ishte një fjali e huazuar që thotë se injoranca nuk është alibi.
Absolutisht kështu është: injoranca nuk mund të jetë alibi”
Më tej Ministri i Brendshëm, thotë se ligji e përcakton qartë se qendra e votimit nuk ka të bëjë me adresën por me vendbanimin, duke përmendur edhe nenet e ligjit për Sistemin e Adresave.
“Nëse zëdhënësi ende nuk e di diferencën mes konceptit të vendbanimit dhe atij të adresës, është mirë të lexojë vetëm nenin 1/1 të Ligjit për Sistemin e Adresave ku thuhet: “Adresa” përbëhet nga fjalë, numra dhe shenja ortografike, të renditura sipas një rregulli të caktuar, të cilat tregojnë vendndodhjen e saktë dhe unike të një ndërtese, apartamenti ose të një trualli të lirë. Ajo formohet nga shkronja të alfabetit shqip dhe numra arabë.
Duhet inteligjencë minimale për të kuptuar se neni 46 i Kodit Zgjedhor nuk preket aspak.
Ai kërkon që listat të dalin në bazë të vendbanimit dhe ato do të dalin ekzaktësisht siç përcakton ky nen, në bazë të VENDBANIMIT.
Adresa është diçka tjetër nga vendbanimi. Shumë qytetarë kanë të njëjtin vendbanim, si për shembull Tiranë, por ata kanë adresa të ndryshme brenda këtij vendbanimi.
Ajo që po ndodh, jo sot, por që prej vitit 2016, kur u miratuan ndryshimet në Ligjin për Sistemin e Adresave, është vendosja e adresave.
Vendosja e adresave NUK e ndryshon vendbanimin. Ajo vetëm sa e zbardh atë. Vendosja e një numri në derë nuk e lëviz as derën dhe as shtëpinë nga vendi.
Të gjithë qytetarët duhet të jenë të qetë se qendrat e tyre të votimit NUK preken nga puna për zbatimin e Sistemit të Adresave në Shqipëri.
Vendosja e këtij sistemi vetëm sa na afron më shumë me standardet e vendeve të qytetëruara.
Të gjithë kanë nevojë të kenë një adresë.
Duhet të shkëputemi nga tendencat për ta mbajtur shoqërinë në një stad paraurban, pa shtet, pa identitet, pa adresë apo pa dinjitet”-shkruan Ministri.