Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtarët në ditën e tretë të grevës së urisë: Me ne i gjithë Ballshi, do sakrifikojmë


Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e tretë të grevës së urisë. E ndonëse kanë kaluar tre ditë, nuk ka patur asnjë reagim nga qeveria lidhur me situatën e tyre.

Një nga naftëtarët e Ballshit tha në një lidhje telefonike me “Report TV” se askush nuk i ka dëgjuar kërkesat e tyre. Ai folu për kushte të vështira në vendin ku janë akomoduar.

“Në momentin që ne po flasim, gjendja jonë shëndetësore është e qëndrueshme. Vendi ku jemi akomoduar ka pak lagështirë dhe nuk i kemi kushtet e nevojshme. Nuk kemi pasur asnjë komunikatë nga institucionet shtetërore. Jemi 10 veta. Në grevë ky është një numër simbolik. Në grevë është i gjithë qyteti i Ballshit. Ne kërkojmë plotësimin 100 përqind të kërkesave tona” – tha një prej naftëtarëve.

Në muret e dhomës ku naftëtarët po qëndrojnë kanë ngjitur disa pankarta  me nga një thirrje për zyrtarët e lartë, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, për të vazhduar me ministren Belinda Balluku, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin si dhe ndaj deputetëve të qarkut. Thirrje ka dhe për Prokurorinë e Përgjithshme e për Avokatin e Popullit.

Naftëtarët kanë dy kërkesa, rifillimin e punës në rafineri dhe të marrin pagat e prapambetura.

Një tjetër grevist tha për “Abc News” se do vazhdojë grevën pavarësisht se ai vuan nga diabeti.

“Vuaj nga diabeti. Ne do vazhdojmë, pa u plotësuar kauza jonë ne këtu jemi. Do sakrifikojmë”, tha naftëtari në një lidhje të drejtpërdrejtë këtë mëngjes.

Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, bëri edhe një herë tjetër një apel për kryeministrin Edi Rama.

“Problemi jonë është më që të na japin zgjidhje. Unë do të përdor një thënie të kryeministrit, kur ra pandemia, u është drejtuar pronarëve të shesin vilat dhe të paguajnë punëtorët. Ne kemi një vit pa pronar. Ndaj i jemi drejtuar shtetit. Le të vijë pronari dhe pastaj të tregojë detyrimet. A kemi familje ne?”, u shpreh Dautaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *