Vendosni fjalën kyçe....

Zhvendosja e votuesve në Shqipëri, çfarë po ndodh 6 muaj para zgjedhjeve dhe roli i sekretares Elena Pici


Kronologjia

18 shtator 2020 – Dorëhiqet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca

21 shtator 2020 – Në vend të Ndrecës, emërohet Elena Pici

28 shtator & 29 shtator 2020 – Emisioni Boom publikon investigimin për ndryshimet në Gjendjen Civile të qytetarëve pa dijeninë e miratimin e tyre

29 shtator & 30 shtator 2020 – Ministri Lleshaj e kreu i Gjendjes Civile, Doracaj deklarojnë se ndryshimet s’kanë të bëjnë me qendrat e votimit

Dy ditë më parë, emisioni ‘Boom’ në Ora News, denoncoi atë që quajti skandalin e zhvendosjes së qytetarëve pa dijeninë e tyre në njësi të tjera administrative, brenda të njëjtit qytet apo jashtë tij.

Në investigimin e publikuar të hënën, qytetarët deklaruan me zë e figurë se ishin zhvendosur në njësi të tjera administrative pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, gjë që bie ndesh me ligjin.

Denoncimi i së hënës u pasua nga ai i një dite më pas. Ndërsa në rastin e parë qytetarët ishin zhvendosur brenda të njëjtit qytet, në rastin pasardhës anëtarët e një familjeje janë shpërndarë në qytete të tjera.

Një qytetare denoncoi se fëmijët e saj i kishin transferuar në Korçë, ndërsa nusen e djalit në një njësi tjetër administrative në Tiranë.

Denoncimit të emisioni Boom i paraprinë dy lëvizje që ndodhën në Ministrinë e Brendshme. Në datën 18 shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, u dorëhoq nga posti që mbante prej disa kohësh.

Ndër çështjet kryesore që mbulon Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme në një vit elektoral është edhe përgatitja e listave zgjedhore, të cilat më pas i dërgohen KQZ-së.

Tre ditë më vonë, vendin e Ndrecës si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme e zuri, Elena Pici.

Kjo e fundit është diplomuar për Ekonomiks në universitetin Epoka. Studimet master për ekonomi i ka ndjekur në LSE (London School of Economics) e pa kthimit në Shqipëri ka punuar në Bankën e Shqipërisë në Departamentin e Mbikëqyrjes. Pici është përfituese e një burse nga Fondacioni Soros në programin gjashtë mujor, ‘Think Tank Development Program’ në Budapest.

Ministri i Brendshëm, Lleshaj, e drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Doracaj, kanë deklaruar se saktësimi i adresave nuk ka të bëjë me qendrat e votimit dhe Listat e Zgjedhësve dhe se qytetarët do votojnë aty ku kanë votuar edhe në zgjedhjet e fundit.

Deklarata e sotme e Lleshajt

Ngatërrimi diabolik i procesit të përditësimit apo saktësimit të adresave të qytetarëve, që kryhet në zbatim të ligjit, nuk ka asnjë lidhje me qendrat e votimit të tyre, të cilat nuk ndryshojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.”

Deklarata e djeshme e Doracajt

“Vendbanimi ndryshohet duke u paraqitur vetë me dokumentacion përkatës te zyra e gjendjes civile ku do të shkojë, ky është një konflikt që është krijuar te adresat, që do të thotë rrjedhimisht as qendrat e votimit as lista e zgjedhjeve, aty ku kanë votuar në 2019-ën, 2017-ën… do të votojnë edhe në 2021-in atje ku kanë votuar, vetëm nëse e kanë ndryshuar vetë vendbanimin më pas.”

 Po çfarë thotë neni 46 i Kodit Zgjedhor lidhur me hartimin e Listave Zgjedhore?

Çfarë thotë neni në fjalë?

Neni 46

Lista e Zgjedhësve

  1. Lista e Zgjedhësve hartohet për çdo zonë qendre votimi dhe përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin e regjistruar në RKGjC në atë zonë qendre votimi. Përfshirja e zgjedhësit në listë bëhet mbi bazën e kodit të vendbanimit

Sipas denoncimit të publikuar nga emisioni ‘Boom’, qytetarëve u është ndërruar vendbanimi jo vetëm brenda qytetit, por edhe duke i dërguar në qytete të tjera.

Përveç faktit që këto lëvizje janë bërë pa dijeninë e qytetarëve dhe pa miratimin e tyre, në këtë rast deklaratat e Lleshajt e Doracajt bien ndesh me nenin e lartpërmendur lidhur me hartimin e Listave të Zgjedhësve.

Klodian Manjani / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *