Përfaqësuesja e PD-së në Këshillin Politik, tashmë pjesë e Nisma#Thurje, Rudina Hajdari, tha pas mbledhjes së Këshillit Politik, se opozita parlamentar nuk negocion për sovranitetin e popullit.
Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës parlamentare që të bojkotojnë mbledhjet e komisioneve dhe seancat plenare deri në hapjen e plotë të listave 100 për qind.
Hajdari tha gjithashtu se drafti i propozuar nga Partia Socialiste është hileqar dhe shmang debatin për hapjen e listave 100 për qind.
“Është e trishtë që Partia Socialiste këmbëngul me një draft që është hileqar, që devijon debatin për hapjen e listave 100%. Ne duhet të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje PS dhe kujto që është serioz për hapjen e listave. Nuk mund të negociojmë me këtë gjë, nuk do të bëjmë asnjë centimetër pas, sepse ka të bëjë me sovranitetin e popullit. Nuk ka centimetër pas. I ftoj kolegët e opozitës parlamentare që ne të refuzojmë të shkojmë në çdo mbledhje, derisa të pranohet kërkesa jonë për hapjen 100% të listave. Beteja e tyre është për një pushtet të tyre personal, ndërsa beteja jonë është për një të ardhme më të mirë.” – tha ndër të tjera, Hajdari.