Qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 30 mijë eurosh për blerjen e teksteve shkollore për shkollat shqipe në Serbi.
Ku vendim u mor në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave.
“Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur do të transferohet në formën e transfertës në llogari të përfituesit, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe do të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2020, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore ‘Arsimi bazë’, ‘Arsimi i mesëm i përgjithshëm’, ‘Sporti’ dhe ‘Rinia’.“- thuhet në VKM-në e miratuar.
Ky fond do u shërbejë nxënësve shqiptarë që ndjekin procesin mësimor në institucionet e sistemit parauniversitar në tre komuna: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.
Një vendim i tillë ishte paralajmëruar edhe më parë, nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.
Në fillim të këtij muaji, ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj dhe se në Luginën e Preshevës do të shpërndahen rreth 20.000 libra për nxënësit shqiptarë.
“Kjo mbështetje do të kontribuojë në forcimin e arsimit në gjuhën shqipe e në rritjen e cilësisë së edukimit në Luginën e Preshevës.”- theksoi Cakaj në një postim. Ai shtoi se do merreshin masa të tjera për të mbështetur Luginën.
Mungesa e librave shqip në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, prej vitesh ka qenë sfiduese për realizimin e një ore mësimore. Pasi mënyra e vetme mbetej diktimi i mësimit nga ana e profesorëve. Vazhdimisht ka patur protesta nga shqiptarët atje për mungesën e teksteve në shqip.