Vendosni fjalën kyçe....

Rëndohet gjendja shëndetësore e naftëtarëve të Ballshit: Ne kemi hyrë për të vdekur në grevë urie


Naftëtarët e Ballshit janë futur në ditën e katërt të grevës së urisë këtë të enjte, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet.

Ata kanë filluar të shfaqin shenja si dhimbje koke, këputje, lodhje fizike. Ndërsa kanë konsumuar vetëm ujin me sheqer si burim energjie.

Një nga naftëtarët që duket qartazi se është në gjendje jo të mirë, ka treguar për Report TV se nuk do të tërhiqet nga kërkesat. Ai thotë se do flijohen aty derisa të vdesin.

“Kemi marrje mendësh, na shtrëngon gjoksi. Vendi këtu është shumë i vogël. Edhe shëndetësia po na lë të vdesim këtu. Derisa të vdesim do flijohemi këtu ne. Nuk kemi çfarë të bëjmë, rrugë tjetër nuk kemi. Kemi fëmijët bukë, fëmijët presin baballarët e tyre” – tha naftëtari.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj, tha se asnjë ambulancë nuk ka shkuar t’i trajtojë por as ata nuk kanë kërkuar ndihmë. Dautaj theksoi se ata kanë hyrë në grevë për të vdekur dhe jo për t’u mjekuar.

“Gjendja ka filluar të rëndohet. Shenjat e para që kanë filluar janë dhimbja e kokës dhe disa efekte anësore që kanë disa kolegë tanë nga sëmundje të pakuruara që nuk i kanë trajtuar prej vitesh, pasi dihet që gjendja jonë ekonomike nuk na ka lejuar që ne t’i drejtohemi spitaleve për të bërë analizat. Dhe lagështira këtu bën punën e vet.

Sot na është bashkuar dhe një koleg i Poçemit pasi kanë të njëjtin problem. Në një kompromis që u arrit, kur një pjesë e tyre kaloi me energjinë elektike dhe një pjesë me ujësjellësin, por 7 prej tyre kanë mbetur të papunë. Atyre s’mund t’u mohohet profesioni, janë naftëtarë si ne dhe kanë ardhur të solidarizohen me ne.

Në grevën muajit shkurt kanë ardhur disa ambulanca ndërsa sot është ditë e katërt, nuk kanë ardhur. Ne realisht duhet t’i njoftonim, por realisht ne nuk kemi hyrë në grevë për të marrë shërbim nga qendra shëndetësore por për të vdekur.

Dihet që greva e urisë shprehet shumë qartë derisa të kalojë në limitet e jetës. O të jepet një zgjidhje ose ne të na bëhet e ditur dhe ne të marrim librezat tona dhe ne të ikim në drejtim të paditur nga Shqipëria, se ndoshta kështu bëhet më mirë. Të rrinë vetëm politikanët këtu dhe populli le të largohet. Në këto momente që flasim nuk kemi asnjë përgjigje nga qeveria, asnjë reagim.” – tha Dautaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *