Gjashtë raketa janë qëlluar pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Erbil në rajonin gjysmëautonom të Kurdistanit në Irakun verior, por nuk arritën në aeroport.
Lajmi u konfirmua nga Ministria e Brendshme e Qeverisë Rajonale të Kurdistanit. CNN raporton se tre raketa goditën një bazë ku ndodhen trupat amerikane, ndërsa raketat e tjera ranë jashtë bazës. Deri më tani nuk ka raporte të lëndimeve ose dëmtimeve nga trupa ushtarake e SHBA-ve.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes e quajti këtë sulm “shqetësues” për shkak të numrit të raketave të përfshira dhe përdorimit të mundshëm të armëve në shkallë më të gjerë.
Ministria e Brendshme e Kurdistanit tha se raketat u qëlluan nga drejtimi i Sheikh Amir, një qytet i vogël në provincën Nineveh, i cili është nën kontrollin e një force paramilitare kryesisht Shiite, Hashad al Shabbi.
Sipas njoftimit, raketat ranë në një zonë të largët pa shkaktuar ndonjë viktimë.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes Irakiane publikoi një deklaratë: “Të Mërkurën në mbrëmje, një grup terrorist shënjestroi Guvernatorin e Erbilit me disa raketa”.
Më tej njoftimi vazhdon: ” U urdhërua të arrestohej komandanti i sigurisë i ngarkuar me zonën ku u qëllua me raketa dhe menjëherë u hap një hetim “.
Sulmi vjen një ditë pas raportimeve se administrata e presidentit Donald Trump u tha udhëheqësve Irakianë se do të mbyllte Ambasadën e SHBA-ve në Bagdad, nëse sulmet e milicisë së mbështetur nga Irani që synojnë personelin amerikan në vend nuk ndalen.