Komisioni i Posaçëm është mbledhur mbrëmjen e sotme për zgjedhjen e 12 anëtarëve të KQZ-së së re.
Komisioni përbëhet nga Gjiknuri, Shameti e Hyseni nga PS-ja, Murrizi e Stojku nga opozita parlamentare dhe Bylykbashi nga opozita jashtëparlamentare.
Për postin e Komisionerit, komisioni përzgjodhi në fund tre emra: Ilirjan Celibashin, Ilirjan Rusmalin dhe Ardjan Myslimajn.
Pas kërkesës së Bylykbashit, emri i Rusmalit u hoq nga lista kështu që për postin e kryekomisionerit, komisioni vendosi t’i përcjellë Kuvendit emrat e Celibashit e Myslimajt.
Për postin e zv.komisionerit komisioni përzgjodhi emrat e Lealba Pelingut, Agron Haxhimihalit dhe Hysen Osmanajt. Pas votimit, u vendos që t’i përcillen Kuvendit për miratim emrat e Lealba Pelingut e Agron Haxhimihalit.
Për Komisionin Regullator, komisioni vendosi t’i përcjellë Kuvendit për miratim emrat e Ilirjana Nanos, Dritan Çakës, Odeta Berberit, Muharrem Çakajt dhe Helga Vukajt.
Ndërsa për Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, komisioni i dërgoi Kuvendit për miratim emrat e Ilirjan Rusmalit, Elvin Lakos, Koli Beles, Elvis Çefës dhe Ledio Brahos.
Zgjedhja e emrave do vendoset në seancën parlamentare të 5 tetorit, thuhet në njoftimin e Komisionit të Posaçëm.