Presidenti francez, Macron, tha se Islami po përballet e po vuan nga fondamentalizmi në gjithë botën, jo vetëm në vendin e tij. Ai tha se parimet e sekularizmit janë ‘çimentoja’ e Francës.
Duke folur në Les Mureaux, një periferi e Parisit, Macron tha se autoritetet duhet të rrisin luftën kundër islamizmit radikal, i cili ‘shpesh çon në krijimin e një kundër-shoqërie’ brenda një shteti. Ai paralajmëroi, megjithatë, se nuk duhet rënë në kurthin e stigmatizimit të të gjithë myslimanëve.
“Islami është një fe që është në krizë në të gjithë botën sot, ne nuk po e shohim këtë vetëm në vendin tonë.” – tha ai.
Macron shpjegoi se ‘kriza e thellë është shkaktuar nga tensionet midis fondamentalizmit, projekteve të tij fetare dhe politike që çojnë në radikalizim shumë të fortë’.
Presidenti vazhdoi duke thënë se duke lejuar ‘getoizimin’ në lagjet myslimane, Franca ka lejuar ndërtimin e separatizmit.
Ndër masat për të luftuar grupet radikale, Macron tha se qeveria do të paraqiste një projektligj në dhjetor për të forcuar një ligj historik të vitit 1905 që ndau zyrtarisht kishën dhe shtetin në Francë. Ai tha se shfaqja e fesë do të vazhdojë të jetë e jashtëligjshme në shkolla dhe shërbimin publik.
“Sekularizmi është çimentoja e një France të bashkuar.” – shtoi ai.