Agjencia daneze e Energjisë (DEA) njoftoi të enjten se i ka dhënë operatorit të projektit Nord Stream 2 një licencë për të kryer operacione përgjatë shelfit kontinental të vendit.
“Nord Stream 2 AG i është dhënë një leje operimi për tubacionet Nord Stream 2 në shelfin kontinental danez.” – tha DEA, duke shtuar se ‘leja është shoqëruar me një numër kushtesh’.
Sipas agjencisë, kushtet pritet të sigurojnë funksionimin e sigurt të tubacionit të gazit, i cili është duke u ndërtuar për të transportuar gazin rus tek konsumatorët evropianë përmes Detit Baltik.
Njoftimi i DEA-s vjen ndërsa disa politikanë në Gjermani dhe në Bashkimin Evropian kohët e fundit bënë thirrje për frenimin dhe madje edhe dhënien fund të projektit Nord Stream 2, për shkak të helmimit të supozuar të liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny.
Më herët në shtator, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, i tha gazetës ‘Bild’ të Gjermanisë se Uashingtoni po krijon një koalicion për të penguar Nord Stream 2.
Ai tha se do të dëshironte që Gjermania të përshtaste pozicionin e SHBA-së mbi projektin e drejtuar nga Rusia, ose për shkak të Navalny-t ose mbi ‘implikimet e sigurisë’ të varësisë nga gazi rus.
Sidoqoftë, kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje që çështja e Nord Stream 2 dhe incidenti me Navalny-n të mos lidhen.
Administrata amerikane ka kritikuar vazhdimisht tubacionin Nord Stream 2, duke synuar ta ndalë projektin për të nxitur shitjet e gazit natyror amerikan në Europë.
Ndërkohë, shumë kombe evropiane kanë theksuar se duan të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë dhe tubacioni i gazit Nord Stream 2 nga Rusia mund të jetë një nga mënyrat për ta arritur këtë.