Prej normave të ulëta të interesit dhe instrumenteve të kufizuara për të investuar në tregjet e kapitalit, gjithnjë e më shumë familje po i mbajnë kursimet e tyre në para jashtë bankave.
Në një anketë të posaçme në mbi 1 mijë familje për të testuar gjendjen e tyre financiare Banka e Shqipërisë gjeti se, përgjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020 nga familjet që kanë kursime, 25% e tyre i mbajnë ato jashtë bankave.
Përqindja e familjeve që i mbajnë tepricat monetare jashtë sistemit bankar arriti në nivelin më të lartë që nga 6-mujori i parë i vitit 2016.
Në tremujorin e dytë të vitit , interesi mesatar për depozitat e reja me afat në lekë rezultoi 0.57%, nga 0.61% që ishte në tremujorin e parë dhe 0.68% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që inflacioni mesatar në tremujorin e dytë të vitit ishte 1.9 për qind. Me këto zhvillime interesi real i depozitave bankare është në nivele negative.
Në ndryshim nga prirja e tre vrojtimeve të kaluara, në këtë vrojtim konstatohet një rritje e peshës së mbajtjes së pasurisë jashtë sistemit (ku përfshihen kursime në para të mbajtura jashtë banke ose të dhëna hua) kundrejt peshës së rasteve të mbajtjes së pasurisë financiare brenda sistemit (ku përfshihen depozita/llogari bankare dhe investime të tjera), si në terma gjashtëmujorë dhe në terma vjetorë. Kjo prirje vihet re si në rastin e totalit të kampionit të familjeve dhe në rastin e grupit të familjeve huamarrëse thekson banka.
Nga anketimi rezulton se 42% e totalit të familjeve të kampionit të vrojtuar (huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 60% e grupit të familjeve huamarrëse, deklarojnë se ‘nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare’ dhe të dyja këto pesha janë rritur respektivisht me 18 dhe 17 pikë përqindje krahasuar me vrojtimin e kaluar.
Duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (duke përjashtuar rastet që ‘nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare’), rezulton se ‘depozitat dhe/ose llogaritë bankare’ vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të kampionit të familjeve (62% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (77% e rasteve të raportuara).
Të dyja këto pesha kanë rezultuar në rënie krahasuar me 6-mujorin e kaluar (respektivisht me 8.8 pikë përqindje dhe 8.2 pikë %) dhe krahasuar me një vit më parë (respektivisht me 5.1 pikë % dhe 3 pikë %).
Përdorimi i formave të tjera të investimit të pasurisë financiare, të përmbledhura në termin “investime të tjera”12, ka rezultuar disi në rritje në rastin e totalit të kampionit të vrojtuar në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë, por ka shfaqur prirje rënëse në rastin e grupit të familjeve huamarrëse.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor