Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim online me shqiptarë të diasporës ku ka folur për përpjekjet e tyre si edhe votën e Diasporës.
Basha i shprehu brengën që vota e diasporës nuk u mundësua që të praktikohej që në këto zgjedhje.
Në fund, kryedemokrati e mbyll postimin e tij në rrjetet sociale duke thënë se Shqipëria ka nevojë për të rifituar trurin e emigruar.
“Kënaqësi e veçantë të bashkëbisedoja me shqiptarë të zotë dhe me integritet, të cilët suksesi personal dhe profesional në të katër anët e botës nuk i ka larguar nga përkushtimi ndaj vendit.
Dëgjova me vëmendje mendimet e aktivistëve të lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe vizionin e tyre për një Shqipëri demokratike, të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Europian.
Vlerësova veçanërisht përpjekjen e tyre të drejtë dhe emancipuese për të mundësuar votën e diasporës shqiptare si dhe gatishmërinë për t’u përfshirë në procesin politik, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e shtetit institucional të së drejtës, që ofron një avantazh shumë të madh për vendin.
Gjatë takimit online me ta, shpreha brengën për sabotimin e qëllimshëm të votës së diasporës nga qeveria në ikje dhe rikonfirmova angazhimin tim personal dhe të Partisë Demokratike që të bëjmë realitet votën e diasporës që në zgjedhjet e para të përgjithshme pas ardhjes tonë në pushtet.
Shqipëria ka nevojë për ta rifituar trurin e emigruar gjatë këtyre 30 viteve dhe koha më e volitshme për këtë është sot”-shkruan Basha.