Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një denoncim lidhur me emërimet e drejtuesve në universitete.
Berisha thotë se pas shkarkimit nga Vettingu, gjyqtarja Ana Golloshi është emëruar në krye të sektorit juridik të Universitetit të Tiranës, nga rektori Artan Hoxha.
“Ngrihet ne detyre pas perjashtimit nga vetingu!
Perjashtohet me veting per pasuri marramendese te pajustifikuar por per keto “merita” emerohet ne krye te sektorit juridik te Universitetit.
Narkoshteti nuk pyet per shtetin ligjor, ai ndjek ligjet e mafies.”- shkruan Berisha, i cili i referohet denoncimit të qytetarit dixhital.
Kujtojmë se në muajin korrik, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi për shkarkimin nga detyra për Ana Golloshin, e cila ishte këshilltare ligjore në Gjykatën Administrative.
Sipas KPK-së, ajo ishte në pamundësi për të justifikuar ligjërisht pasurinë e saj dhe të afërmve që bazuar në analizën financiare rezultoi 2.3 herë më e madhe se sa pasuria që ajo mund të dokumentonte. Në denoncimin tek Berisha, thuhet se emërimi i ish-gjyqtares do bëhej i ditur më 1 tetor, por një lajm i tillë nuk ka qarkulluar ende.
DENONCIMI
Doktor përshëndetje!
Universiteti i Tiranës rehabiliton të korruptuarit e shkarkuar nga Vettingu.
Rektori i komanduar, hetuesi i ish partisë së punës, në Universitetin e Tiranës Artan Hoxha i ka besuar drejtimin e Sektorit Juridik zonjës Ana Golloshi, e përjashtuar për pasurinë marramendëse të pajustifikuar, nga sistemi i drejtësisë nëpërmjet Vettingut.
Vetëm para pak ditësh Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi (pra të mërkurën e kaluar) lënien në fuqi të vendimit të KPK për shkarkimin nga detyra të këshilltares ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Ana Golloshi.
KPA kishte vendosur më 13 shkurt 2019 të shkarkojë nga detyra këshilltaren ligjore Ana Golloshi, për probleme me pasurinë, pasi rezultoi se Golloshi dispononte 2.3 herë më shumë pasuri nga sa mund të dokumentohej.
Nuk vonoi të kuptohej se përse i duhej me aq ngut qeverisë Universiteti i Tiranës, me zgjedhjet pa studentë.
Ky është treguesi më i shëmtuar i kapjes së universiteteve publike nga krimi dhe nga ish të dëbuarit e korruptuar nga drejtësia, të cilin do vuajmë pasojat të gjithë si shoqëri.
Emërimi zyrtar do të bëhet nesër në datë 1 tetor, ndërkohë që de facto ka filluar ditë më parë.
Ju lutem publikojeni pasi ky emërim bien ndesh me ligjin per Arsimin e Lartë dhe me Statun e UT-se.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë