Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e 6 të grevës së urisë dhe gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet.
Ata shprehen se më shumë nga e gjithë kjo po i “vret” mungesa e një reagimi nga institucionet.
“Mosmarrja e një përgjigje po na vret më shumë. Të thonë që rafineria nuk punon, por të japin një zgjidhje. Duhet të mendohen mirë se çdo përgjigje lidhet me fatin e qytetit dhe familjeve tona. Ato lekë që na kanë me gjyqe të na i japin. Rezistenca do të vazhdojë”- tha një nga naftëtarët.
Grevistët shprehen se janë gati të shkojnë deri në vetëflijim për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës. Sipas tyre, kanë 13 paga të prapambetura të fituara me vendim gjykate.
Ndërkohë, gjendja e një prej naftëtarëve, Aleksandër Merdani vijon të jetë e rënduar. Ai është transportuar në spitalin e Fierit për të kryer analiza më të detajuara pasi ka shfaqur probleme me shëndetin.
“Sot në ditën e 6 situata sa vjen e rëndohet. Është një problem tjetër jo vetëm rëndesa shëndetësore. Jemi lënë në heshtje totale, nuk ka asnjë lloj reagimi nga instancat. Nuk e di sa do vazhdojë kjo heshtje dhe kjo na vret më shumë. Dje kolegu ynë kaloj një problem shëndetësor me zemrën, u informova që është në Fier për analiza, gjendjen e ka të rënduar.
Gjendja jonë e rënduar se këtu ndikojnë të gjitha kushtet, mbi të gjitha ndikon stresi si dhe mos-marrja e një përgjigje qoftë edhe negative. Le të na thonë se do mbyllet nesër, le të na i thonë por ata nuk na e thonë. Dje spitali i Ballshit na janë gjendur pranë ambienteve, nuk është problemi jonë shëndetësia, në çdo moment e dimë që do na përgjigjen.
Problemi ynë është instancat e duhura qoftë nga ana e pronarëve që na u prezantuan si pronarë të kompanisë qoftë edhe nga ana e shteti. Është një mospërfillje e dukshme se nuk është vetëm ndaj 10 naftëtarëve që janë këtu, është ndaj 900 naftëtarëve dhe ndaj gjithë qytetit. Kolegët tanë po përdorin ujë me sheqer sepse tani të shkosh në spitale nuk dihet kush vizitohet, dhe mos përhapim edhe një panik tjetër, larg qoftë. Përdorim ujë me sheqer për të mbajtur trupin gjallë”, tha një tjetër grevist.
Ata shprehen të vendosur për të mos e ndalur rezistencën për të kërkuar pagat e prapambetura dhe fillimin e punës.