“I mandatuari për formimin e qeverisë së re malazeze, Zdravko Krivokapiq, ka pranuar se kryesfida e tij mbetet formimi i kabinetit qeverisës nga ekspertë për disa fusha dhe nga njerëz të cilët janë në politikë dhe që me nderin e vet politik do të garantojnë se puna do të kryhet sipas kursit të cilin qytetarët e njohën dhe votuan për të me shumicë. Mirëpo, vëzhgues dhe ekspertët paralajmërojnë se në këtë rrafsh koalicioni fitues, politikisht tepër heterogjen, mund të has, jo në sfida por problem serioze”.
Shkruan: Seladin Xhezairi
Në fakt, Zdravko Krivokapiq në këtë mënyrë pranon vështirësitë me të cilat po përballet aktualisht për shkak të pozicionimeve të deritashme të partnerëve të cilët e krijuan mazhorancën parlamentare: Shumica prej tyre është identifikuar deri tani në skenën politike të vendit dhe këtë as që e fshehin – si pro-serbe dhe nën ndikim të Kishës Ortodokse Serbe.
Njoftimet nga Podgorica flasin për përplasje serioze mes të ashtuquajturit Front Demokratik me lidhje të fuqishme me Beogradin, nga njëra anë, dhe partisë qytetare Ura të Dritan Abazoviqit, nga ana tjetër, e cila angazhohet që në sektorë të mbrojtjes e të sigurisë, po edhe të punëve të jashtme të mos ketë eksponentë politik të cilët edhe në të kaluarën jo fort të largët kanë mbrojtur qëndrime që bien ndesh me vlerat euro-atlantike duke favorizuar lidhjet me Serbinë dhe Rusinë.
Duke u munduar të anashkalojë atmosferën e krijuar së fundmi, Krivokapiq, kryeministri i ardhshëm i republikës malazeze me diçka më shumë se 620 mijë banorë, në një shkrim autorial, këtë të enjte, ka emërtuar ekonominë si prioritetin numër një, duke nënvizuar se ‘askush në Mal të Zi, po as në komunitetin ndërkombëtar nuk ka për të toleruar më korrupsionin dhe kriminalitetin ose paaftësinë’.
Në të njëjtën kohë, shefi i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Vladimir Bilçik, po këto ditë, ka tërhequr vërejtjen se me rëndësi parësore për institucionet evropiane është që qeveria e re të ruajë qartë kursin proevropian, jo vetëm me fjalë, por – që është më kryesore – me vepra’.
Ekonomisti i njohur, Vladimir Gligorov, nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës, ndërkaq duke rikujtuar se fitorja e opozitës malazeze nuk ishte e atillë sa të reflektonte vullnetin e padyshimtë të popullit për ndryshime radikale, thotë ai, solli ndarjen. Agazhimi i pushtetarëve të rinj, argumenton Gligorov, jo për vazhdimësi, por për ndryshime radikale, jo për qëndrueshmeri, por për revolucionaritet, mund të sjellë probleme. Eksperti ka rezerva edhe ndaj angazhimeve për një qeveri ekspertësh. Ajo është e këtillë ‘nëse gjen mënyrën më të mirë për zbatimin e objektivave politike, kur zgjedhja e objektivave është politike e jo profesionale.
Në zgjedhje – zgjedhin qytetarët, pastaj qeveria i propozon parlamentit ‘çka’ dhe ‘si’. Zakonisht për këtë ‘si’ kompetent është shërbimi profesional, jopolitik, është administrata. Domethënë, Qeveria e ekspertëve është sikur administrata të merrte qeverinë,’- Së këndejmi, vëzhguesit nuk përjashtojnë mundësinë që gjatë tri javëve në vazhdim, deri në zgjedhjen e qeverisë së re Podgorica politike të përballet me probleme ndaj të cilave nuk ka për të qenë indiferente as bashkësia ndërkombëtare.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Kdpolitik
*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.