Vendosni fjalën kyçe....

Ish-deputeti i PS-së: Humba 20 kile nga Covidi, gabimi fatal që bëra


Ish-deputeti socialist Fatmir Toçi, ka folur për periudhën e vështirë që ka kaluar nga sëmundja e Covid-19.

Ai ka treguar se ka kaluar 55 ditë në regjim shtrati dhe edhe pse është shëruar, ende nuk mund të kryejë disa aktivitete.

Toçi ka treguar në një lidhje me “Skype” me televizionin “News 24” se ai ka humbur plot 20 kilogramë për shkak të përballjes me koronavirusin.

“Kam kaluar një periudhë 55 ditë në regjim shtrati, 45 ditë te ‘Shefqet Ndroqi’. Pas kësaj, nuk është se jam akoma në gjendje fare normale, që të bëj aktivitete të zakonshme. Covid ka dhe një periudhë tjetër që nuk është shumë e shkurtër, kur pacienti kërkon të rehabilitohet pas një kohe të gjatë në kushte spitalore. Edhe unë po kaloj këtë periudhë. Gjatë kohës që ishte në spital kam humbur 20 kg. Sot lëviz normalisht të dal me familjarë e miq, bëj jetë normale, por jo që të ushtroj aktivitete. Uën jam prekur në kushte shumë të rënda. Nuk mund ta vë gishtin ku e kam marrë këtë sëmundje. U preka nga ky virus në momentin kur nuk do ta besoja kurrë”, tha ish-deputeti.

Sipas Toçit, trajtimi i virusit në kushte shtëpie është i gabuar kur skaneri të nxjerr se je prekur sadopak. Ai thotë se brenda 10 ditësh që ai qëndroi në shtëpi, mushkëritë iu prekën nga 30% në 70%.

“Unë vendosa ta kaloja në kushtet e shtëpisë dhe ky ishte një gabim fatal. Kur bën skanerin dhe del që je prekur sadopak, në kushtet e shtëpisë është e pamundur ta luftosh virusin. Pas 10 ditësh që u përkeqësova shumë, kisha temperaturë, djersë, kisha të gjitha shenjat e këtij virusi, iu drejtova spitalit dhe doli që mushkëritë e mia ishin prekur brenda 10 ditësh nga 30% në 70%. Pashë mosbesimin e mjekëve se nuk do ja dilja kësaj lufte. Ditët e para të spitalit, dhe kur kalova në reanimacion për 3 javë, kam pasur momente të humbjes së vetëdijes. Dola nga vetvetja dhe u përballa me vdekjen, ndaj dhe pak gjëra mbaj mend. Jeta ime u vu në pikëpyetje të madhe”, thotë Toçi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *