Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat.
Ministrja thotë se gratë dhe vajzat e kanë vetë në dorë të shmangin rrezikun nga tumori i gjirit.
Sipas Manastirliut, mamografitë në spitale dhe ato të lëvizshme, po ofrojnë falas depistimin e grave dhe vajzave, në të gjithë Shqipërinë.
“Në këtë muaj të Tetorit Rozë, si grua, bijë dhe nënë, kam një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat:
Sot, e ke vetë në dorë që, përmes DIAGNOSTIKIMIT TE HERSHËM, të shmangësh rrezikun që tumori i gjirit i shkakton shëndetit.
Bëhu ti vetë mbrojtëse e shëndetit tënd, e mirëqenies së familjes tënde, në një betejë që fitohet!
Mamografitë tona në spitale dhe ato të lëvizshme, po ofrojnë falas depistimin e grave dhe vajzave, në të gjithë Shqipërinë. Jo vetëm në tetor, por gjatë të gjithë vitit.”, shkruan ministrja.