Presidenti i vendit Ilir Meta ka ngritur edhe njëherë shqetësimin për shpopullimin e Shqipërisë.
Ai thotë se tani është “koha për t’i thënë ndal kësaj gangrene sociale”.
Meta kujtoi raportin e Zyrës së Mbështetjes së Azilit Europian të muajit gusht 2020, sipas të cilit numri i azilkërkuesve për herë të parë nga Shqipëria për periudhën korrik 2018 deri në korrik të vitit 2020 ka arritur në 34135 persona.
Kreu i shtetit theksoi se ajo që duhet konsideruar si një alarm “pse jo dhe një fatkeqësi kombëtare”, nëse vazhdon dhe një ditë më shumë është fakti se vendit po i ikën rinia.
“Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur rreth 78% e totalit të aplikimeve, janë nën moshën 34 vjeç. Po ashtu është shumë lartë edhe shifra e azilkërkuesve të grupmoshës 18-34 vjeç, si dhe të moshës 17-18 vjeç” – shtoi ai.
Meta tha se përveç varfërisë, papunësisë, në kushtet e vendit tonë ka dhe arsye të tjera të cilat po e shndërrojnë këtë fenomen në një “gangrenë sociale”.
Sipas presidentit të rinjtë po përballen me mungesën e vendeve të reja të punës dhe meritokracisë për punësim , e kanë të pamundur për të realizuar ëndrrat e tyre dhe janë në një krizë të thellë besimi.
“Rrjedhimisht, si pasojë e këtij emigrimi, Shqipëria po humbet kapitalin e saj më të çmuar, atë human dhe në rradhë të parë të rinjtë e talentuar dhe të mirëarsimuar në universitetet brenda dhe jashtë vendit.
Migrimi në përgjithësi, i të rinjve dhe intelektualëve nga Shqipëria në veçanti, po merr gjithnjë e më shumë tiparet e largimit masiv të trurit, kostoja e të cilit mund të jetë fatale për vendin dhe kombin në të ardhmen. Ndaj duhet një reflektim nga e gjithë klasa politike dhe shoqëria jonë, për t’i thënë ndal shpopullimit të Shqipërisë, rikthimit të besimit në rradhë të parë tek të rinjtë dhe të rejat për të ardhmen europiane të vendit tonë”, u shpreh Meta.
Këtë deklaratë, kreu i shtetit e bëri ndërsa i dha titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, studiuesit të emigracionit shqiptar, Profesor Russell.
Këtë titull Meta tha se ia dha “në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij disavjeçare kërkimore-shkencore në studime, botime dhe konferenca ndërkombëtare, duke u renditur si një nga studiuesit më të njohur në fushën e emigracionit shqiptar në Evropë. Në vlerësim të punës së tij të palodhur për sensibilizimin e të rinjve, studentëve dhe studiuesve shqiptarë e të huaj ndaj këtij fenomeni shoqëror, çështje e rëndësishme për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”.