Kryeministri Edi Rama ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi ekonomik me nënsekretarin e SHBA-ve për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.
Një gjë të tillë ai e kishte paralajmëruar që ditën e djeshme, kur tha se SHBA-ja do financonte projektin për ndërtimin e HEC-it të Skavicës, që është pjesë e kaskadës së Drinit.
Gjatë konferencës për shtyp me zyrtarin e lartë amerikan, Rama tha se ky memorandum do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por edhe të vendeve të tjera të huaja në Shqipëri.
Mes të tjerash, Rama i uroi publikisht presidentit Donald Trump shërim sa më të shpejtë nga Covid-19.
Ai shprehu disa falenderime ndaj Trumpit, për vëmendjen dhe besnikërinë me të cilën SHBA-ja e ka shoqëruar Shqipërinë ndër këto vite dhe për marërveshen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dua ta falënderoj me gjithë zemër nënsekretarin e SHBA për të kurorëzuar një proces të nisur dhe përgatitur falë përfshirjes së drejtpërdrejtë të ambasadores, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë.
Përmes nënsekretarit, dëshiroj t’i përcjell publikisht presidentit Trump urimin më të sinqertë për një shërim sa më të shpejtë dhe të shpreh falenderimin për të dhe për administratën e tij për vëmendjen dhe besnikërinë me të cilën SHBA-të e kanë shoqëruar Shqipërinë në këto vite dhe padyshim për një pikë kyçe në historinë e këtij rajoni që ishte nënshkrimi i marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë jo si një proces i nisur më parë për bashkëpunim dhe normalizim të marrëdhënieve, edhe për shtysën e fortë që i dha mirënjohje të paimgjinueshme deri përpara atij takimi.
Memorandumi që nënshkruam sot për bashkëpunimin ekonomik faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por edhe të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike, por i varur nga moti, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.
Nxisim bizneset të vazhdojnë në këtë biznes, ku qeveria amerikane hedh hapin e parë, duke u futur dhe angazhuar vetë për të mbështetur me ekspertizën dhe teknologjinë e vet, si dhe me financimin, për ndërtimin e Skavicës. Kam parasysh impaktin e madh që do të ketë ky hap, por edhe hapat e tjerë të kompanive amerikane. Për ne paraja që vjen për t’u investuar në Shqipëri nuk është një para që vlen njësoj si kur vjen nga një vend mik, si kur vjen nga vende që nuk hyjnë ndër miqtë tanë më të preferuar dhe nuk janë aleatë strategjikë të Shqipërisë. Në këtë rast ne jemi posaçërisht të kujdesshëm. Ndërkohë që do bëjmë çmos që paraja që vjen nga vendet mike të mos ketë pengesa dhe të përkthehet në rritje ekonomike, punësim e përfitim reciprok”, u shpreh Rama.