Që prej mbrëmjes së kaluar, presidenti amerikan Donald Trump ndodhet i shtruar në Qendrën Mjekësore Walter Reed në Washington, ku po trajtohet për Covid-19.
Trump do të jetë në duart e rreth 7,000 anëtarëve të stafit të këtij spitali, ku punojnë disa nga mjekët kryesorë të SHBA-ve.
Siç shkruan Daily Mail, Trump do të qëndrojë në Suitën Presidenciale, që ndodhet në një prej 88 ndërtesave të këtij spitali.
Suita Presidenciale është një nga gjashtë dhomat e veçanta të pacientëve të rezervuara për oficerë të rangut të lartë ushtarak dhe anëtarët e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Suita është ‘e pajisur posaçërisht me pajisje mbrojtëse dhe mjete komunikimi të përdorura në mbështetje të presidentit’- shkroi Admirali Connie Mariano, i cili ka shërbyer si mjek i të dy presidentëve George H.W. Bush dhe Bill Clinton-it dhe ka qenë drejtor i Njësisë Mjekësore të Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë tha se Trump do të punojë nga Suita Presidenciale gjatë qëndrimit të tij prej ‘disa ditësh’ në spital.
Edhe pse Shtëpia e Bardhë pretendon se kjo është vetëm një masë paraprake, shumë spekulojnë se shtrimi në spital i tij sugjeron që presidenti është shumë më i sëmurë sesa thuhet në deklaratat zyrtare.
Ndërkohë, shumë media kanë publikuar pamjet nga Suita Presidenciale e spitalit ku po qëndron Trump dhe duket me të vërtetë si një hotel luksoz. Suita ka dhomë ngrënie, dhomë për të pritur vizitorë dhe për të punuar.