Gazetari Artan Hoxha ka publikuar këtë mëngjes në rrjetet sociale disa foto nga një parcelë me kanabis në veri të vendit.
Ai thotë se fotot janë shkrepur ditën e djeshme, më datë dy tetor, ndërsa shprehet se çmimi i kanabisit është rritur deri në 1 mijë e 600 euro për kilogram. Ai paralajmëron se po bën gati për të publikuar një histori lidhur me këtë fenomen.
“Mirëmëngjes Shqipëri…
Me kasketë të vjetër, në kanabisin e ri..
Në pyjet me kanabis ka jetë.
Pershëndetje zoti kryeministër.
Nën kujdesin e veçantë të qeverisë suaj, Shqipëria e ka te garantuar edhe për një vit tjetër, brand-in e saj europian, Made in Albania…
Si asnjëherë më parë, çmimi për kilogramë ka thyer rekord.
Nga 1300 euro deri 1600 euro për kg, në varësi të cilësisë, me blerje direkt në fund të parcelës.
Bëni durim, në ABC News një histori ekskluzive po bëhet gati…
A kemi zgjedhje përpara apo jo?! Foto: North Albania 2 tetor 2020…”- shkruan Hoxha.
Gazetari në një postim të dytë publikon edhe një video, ndërsa shton se “u thye ‘bredhi’ nga boçet” duke nënkuptuar se sa pjellore kanë rezultuar bimët.
“Se mos u mbetet hatri, kemi edhe video…
Si gjithnje, me zë dhe figurë.
Edhe pse një jelek antiplumb nuk është kurrë i tepërt…
Ky është pylli i vërtetë orbital i Green Albania, që pasi të korret, do të mbjellë “beton orbital” nê kryeqytetin e Lali Erit…
Plot mor plot, u thye “bredhi” nga boçet, aq i mbarë është prodhimi…
Dhe pastaj thoni, pse në Shqiperinë ku popullsia zvogëlohet, papunësia rritet, rroga e administratës mbetet qesharake, industria e ndërtimit vetëm lulëzon, ndërsa çmimi i apartamenteve dhe lokaleve luksoze, vetëm rritet…”- shkruan Hoxha.
Mesa duket situata e vështirë e pandemisë së Covid-19 që po kalon vendi, nuk i ka penguar kultivuesit e kësaj lloj droge për të prodhuar sasitë e tyre.
Para pak kohësh, edhe gazetarja Anila Hoxha pati publikuar foto nga parcela me kanabis.