Vendosni fjalën kyçe....

Video-mesazhi që Trumpi regjistroi para shtrimit në spital: Nuk do ta harroj kurrë


Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një video-mesazh për ndjekësit e tij në Twitter, të cilën e ka regjistruar pak para se të shtrohej në spital.

Siç ka njoftuar Shtëpia e Bardhë mbrëmjen e kaluar, Trump është shtruar në qendrën spitalore të ushtrisë amerikane Walter Reed pranë Uashingtonit për trajtim mjekësor kundër koronavirusit.

Para se të nisej, presidenti regjistroi një mesazh të shkurtër që e postoi më vonë në llogarinë e tij në Twitter. Ai falenderon të gjithë dashamirësit e tij, të cilët i sqaron se po shkon në spital për të garantuar që kjo gjë do shkojë mirë.

“Dua t’i falenderoj të gjithë për mbështetjen.Unë po shkoj në Spitalin Walter Reed. Besoj që jam shumë mirë, por po shkojmë për t’u siguruar që çdo gjë të përfundojë mirë. Zonja e parë është shumë mirë. Kështu që faleminderit shumë, e vlerësoj. Nuk do ta harroj kurrë. Faleminderit.” – shprehet Trump.

Ai nuk jep hollësi për diagnozën apo gjendjen e tij shëndetësore.

Disa orë më pas, Trump publikoi edhe një mesazh të shkurtër ku tregon se është mirë.

Më herët Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital bazuar në rekomandimet e mjekut.

Mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se presidenti ishte trajtuar me një dozë intravenoze anti-trupash të dyfishtë të prodhuara nga Regeneron Pharmaceuticals Inc, duke e shoqëruar me zink, vitamin D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë.

Ai po ashtu sqaroi se Trump ka filluar të marrë një terapi antivirale dhe nuk kërkon oksigjen shtesë për të ndihmuar në frymëmarrjen e tij.

“Jam shumë i lumtur të raportoj se presidenti është shumë mirë. Ai nuk po kërkon ndonjë oksigjen shtesë, por në konsultim me specialistët ne kemi zgjedhur të fillojmë terapinë me Remdesivir. Ai ka përfunduar dozën e tij të parë dhe po pushon i qetë.” – tha Conley.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *