Vendosni fjalën kyçe....

A gaboi Presidenca në sulmin ndaj Mero Bazes? (Si lindi debati)


Mbrëmjen e djeshme, Gazeta Tema e Mero Bazes, publikoi një shkrim ku akuzonte presidentin Meta se kishte shkelur Kushtetutën duke i dhënë me firmën e tij, nënshtetësinë shqiptare një lojtari afrikan të Sport Klub Tiranës.

Në shkrimin e gazetës Tema  argumentohej se për të dhënë dekretin e nënshtetësisë për një shtetas të huaj, duhen të pakten 5 vite qëndrim dhe më pas gazeta shkruante se në rast se operohet në këtë mënyrë në dhënien e nënshtetësisë, atëherë çfarë filtrash mbrojtës do kishte Shqipëria në rastin kur nënshtetësinë mund ta synojë edhe një terrorist.

Kjo pyetje që shtronte Gazeta Tema u keqinterpretua qëllimisht dhe u nxorr jashtë kontekstit nga zëdhënësi i institucionit kushtetues të Presidencës, Tedi Blushi, ku Blushi akuzonte Gazetën Tema se ajo e kishte akuzuar ekipin e Tiranës si klub terrorist.

Reagimi i Blushit ka dy probleme.

E para: Nuk ofron asnjë kundërarsyetim të ftohtë, shpjegues mbi procedurat e dhënies së shtetësisë në rastin konkret duke shmangur sqarimin institucional dhe duke kaluar në retorikë sulmi personal.

E dyta: Tedi Blushi  ka keqinterpretuar qëllimisht dhe ka mashtruar publikisht kur ka thënë se Gazeta Tema e ka quajtur klubin e Tiranës si klub terrorist. Gazeta Tema nuk e ka bërë këtë gjë.

Ky qëndrim dhe kjo mënyrë e të sjellurit të Presidencës, përveçse nuk është korrekte në planin e seriozitetit të një institucioni kushtetues, për nga mënyra agresive si u krye e bën akoma edhe më të besueshëm pretendimin e Bazes dhe Gazetës Tema.

Para përplasjes për shtetësinë e lojtarit afrikan, Tema kishte publikuar disa shkrime të tjera që kanë të bëjnë me presidentin.

Fillimisht me një analizë të Bazes lidhur me një postim të kreut të shtetit në rrjetet sociale, i pasuar nga një tjetër ku ai e akuzon atë se është përfshirë në fushatën zgjedhore.

Prej këtej, pak më vonë, një shkrim në Gazetën Tema, e përmend  Metën lidhur me dy shkrime që kanë të bëjnë me këshilltarin Ilir Kulla, për një lajm të shpërndarë nga mediet italiane për çështjen e një ngarkese mbetjesh toksike.

Megjithatë ajo që nxiti një seri shkrimesh ndaj presidentit mbrëmjen e 3 tetorit ka të bëjë me dhënien e shtetësisë shqiptare të një futbollisti afrikan të Tiranës, duke e akuzuar kreun e shtetit për shkelje të Kushtetutës në rastin në fjalë.

Sipas Bazes, Winful Cobbinah ka vetëm dy vite që jeton në Shqipëri e sipas Kushtetutës, për të përfituar pasaportën shqiptare atij i duhen të ketë jetuar në vend të paktën 5 vite.

Ligji për shtetësinë 113/2020, në nenin numër 9 të tij e parashikon dhënien e shtetesisë shqiptare në ato që konsiderohen raste të veçanta. Ndryshe nga rregulli i të qenit rezident për të paktën 7 vjet, neni 9 nuk e vendos si detyrim çështjen e rezidencës por parasheh te tjera kushte.

Pika 1 e nenit 9 thotë teksualisht: “Shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.”

Çështja e dhënies së shtetësisë lojtarit afrikan nga presidenti Meta nëpërmjet këtij neni ka të bëjë me interepretimin nëse natyralizimi i tij llogaritet interes kombëtar për Shqipërinë, në rastin konkret bëhet fjalë për ndeshjen mes Tiranës e Young Boys-it në Zvicër, sfidë ku ekipi kryeqytetas mund të arrinte kualifikimin historik në fazën në grupe të Ligës së Europës për herë të parë.

Në një nga reagimet e zëdhënësit të presidentit, Tedi Blushi, ai ka publikuar kërkesën zyrtare nga presidenti i klubit të Tiranës, Halili, drejtuar institucionit të Presidencës për dhënien e shtetësisë lojtarit afrikan bazuar në ligjin 113/2020.

Pak ditë më parë, kryebashkiaku Veliaj e shpërbleu klubin e Tiranës me 150 milionë lekë duke e cilësuar atë si vlerë për kryeqytetin pas fitimit të kampionatit nga ana e bardhebluve.

Që prej mbrëmjes së 3 tetorit deri mbrëmjen e katër tetorit, në gazetën Tema të Bazes ka 21 shkrime që kanë të bëjnë me presidentin Meta.

Në një seri shkrimesh e editorialesh përfshihen tërthorazi edhe emrat apo qëndrimet e kryeministri Rama, ish-ambasadorit amerikan Lu, presidentit të Sport Klub Tiranës Refik Halili e grupimi i tifozëve të Tiranës.

Disa prej shkrimeve kanë në qendër presidentin e Sport Klub Tiranës, Halili pas reagimit lidhur me rastin në fjalë si dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Jo të gjitha kanë të bëjnë me çështjen e dhënies së shtetësisë shqiptare lojtarit me origjinë afrikane duke u shkëmbyer mes çështjes në fjalë e shkrimeve të Bazes ndaj presidentit Meta, politikisht dhe familjarisht.

Presidenti Meta u është përgjigjur shkrimeve të Bazes nëpërmjet zëdhënësit Blushi.

Ky i fundit ka bërë 3 reagime gjithsej në Facebook. I pari ka të bëjë me këshilltarin e presidentit, Ilir Kulla dhe dy të tjerët për çështjen e dhënies së shtetësisë shqiptari, lojtarit afrikan të Tiranës.

Në njërin nga reagimet, Blushi, ka publikuar kërkesën e Sprt Klub Tiranës për dhënien e shtetësisë shqiptare lojtarit Cobbinah për ndeshjen e kryeqytetasve në Ligën së Europës ndaj Young Boys.

Bilanci i shkrimeve të Mero Bazes ndaj kreut të qeverisë përfshin më shumë se 20 shkrime në harkun kohor të 48-orëve e përballë tyre janë 3 reagime të zëdhënësit të presidencës, Tedi Blushi.

*Editoriali i Bazes në Gazetën Tema


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *