Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë është nisma 17+1, nga ku Trump kërkoi që Shqipëria të heqë dorë dhe investimet kineze në vend


Përplasjet gjeopolitike mes SHBA-së dhe Kinës për tregje duket se nuk e anashkalojnë as Shqipërinë.

Kjo u bë e qartë dhe e drejtpërdrejtë edhe në Letrën që Presidenti i SHBA-së Donald Trump i dërgoi Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Trump nxit nëpërmjet letrës që Shqipëria të heqë dorë nga projekti më i madh gjeopolitik i Kinës shekullit të 21 për të zgjeruar interesat e saj në politikën e jashtme deri në brendësi të Evropës.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit.

Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë. Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni”-thuhej në letrën e Trump dërguar për Ramën.

Por çfarë është Nisma “Një Brez një Rrugë” dhe 17+1?

Nisma një Brez një Rrugë (BRI, ose B&R), ose shkurt OBOR, është një strategji globale e zhvillimit të infrastrukturës e miratuar nga qeveria kineze në 2013 për të investuar në gati 70 vende dhe organizata ndërkombëtare. Konsiderohet si një pjesë kryesore e politikës së jashtme të sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Kinës, Xi Jinping.

Objektivat e deklaruara janë “ndërtimi i një tregu të madh të unifikuar dhe përdorimi i plotë i tregjeve ndërkombëtare dhe vendore, përmes shkëmbimit kulturor dhe integrimit, për të rritur mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë të kombeve anëtare, duke përfunduar në një model inovativ me hyrjet e kapitalit, talentin , dhe bazën e të dhënave të teknologjisë. “

Nisma një Brez një Rrugë adreson një “hendek infrastrukture” dhe kështu ka potencial për të përshpejtuar rritjen ekonomike në të gjithë zonën e Azisë Paqësorit, Afrikës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore.

Fokusi fillestar ka qenë investimi në infrastrukturë, arsimi, materialet e ndërtimit, hekurudha dhe autostrada, automobila, pasuri të paluajtshme, rrjet elektrik dhe hekur e çelik.

Iniciativa 17 + 1 është një bashkëpunim trans-rajonal, siç përcaktohet nga Kryeministri Li Keqiang në samitin e Budapestit në 2017, sepse Kina vë theksin në lidhjen e saj me Evropën sa i përket hekurudhave, porteve dhe IHD si themeli për arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar dhe kohezioni social në Evropë. Në të janë përfshirë vendet e Europës Lindore dhe Juglindore, përfshirë dhe Shqipërinë.

Cilat janë investimet më të mëdha kineze në Shqipëri?

Në vitin 2014, “Jiangxi Copper”, prodhuesi më i madh i bakrit në Kinë, bleu një 50 për qind të aksioneve të një kompanie turke që operonte minierat e bakrit në Shqipëri për 62.4 milion dollarë.

Në mars të vitit 2016, “Canada’s Banker’s Petroleum” ia shiti të drejtat e saj të kërkimit dhe shpimit në fushat e naftës në Patos-Marinze dhe Kuçovë filialit kinez Geo-Jade Petroleum për një çmim prej 384.6 milion euro.

Në tetor 2016, “China Everbright dhe “Friedmann Pacific Asset Management Ltd”. (të dyja me seli në Hong Kong) fituan 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).

Duket se përplasjet mes fuqive të mëdha nuk anashkalojnë as një vend të vogël të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria kur vjen puna te shtrirja e influencave.

Pas kësaj thirrje, pritet të shihet si do pozicionohet Shqipëria ndaj nismës Një Brez një Rrugë e cila nga shumë shtete të Ballkanit apo edhe Evropës përfshirë edhe Greqinë dhe Italinë është parë me interes ekonomik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *