Pas deklaratave të sotme të dyshes së opozitës jashtëparlamentare në Këshillin Politik, Bylykbashi e Vasili, lidhur me reformën zgjedhore ka ardhur reagimi i përfaqësuesit të PS-së, Gjiknuri.
Në një postim të gjatë në Facebook, ish-ministri ka sqaruar pretendimin e opozitës se formula e koalicioneve e propozuar prej saj përdoret nga Italia. Gjiknuri theksn se përpjekja e opozitës kërkon t’i hedhë hi syve publikut.
“Tre muaj rresht, në çdo komunikim zyrtar, në çdo deklarim publik, në çdo mbledhje të grupit negociator të Këshillit Politik i kërkuam opozitës jashtëparlamentare të na sillte në tryezë qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin. Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut.” – shkruan Gjiknuri.
Më tej, ai shton se kjo është përpjekja e fundit e dëshpëruar e opozitës për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
“Deklarojnë se në fund të tunelit kanë “zbuluar” modelin italian. A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati.” – vijon deklaratën e tij, Gjiknuri.
Ish-ministri sqaron në fund të reagimit të tij modelin italian duke thënë se ai nuk ka asnjë lodhje me sistemin që zbaton Shqipëria, ndërsa duke marrë si shembull po Italinë cek edhe çështjen e kandidimit të kreut të partisë në 4 zona zgjedhore, duke thën se Italia i lejon kandidatët që të garojnë edhe në 5 zona zgjedhore.
“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura. Edhe diçka e fundit, për të mos i besdisur qytetarët këtë mbrëmje të diele me debate politike. Meqenëse kërkesa e opozitës parlamentare, e pranuar nga mazhoranca, për lejimin e vendosjes së kryetarit të partisë apo kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit në listë njëkohësisht në 4 zona zgjedhore u cilësua antidemokratike dhe duke qenë se opozita jashtëparlamentare ka “zbuluar” pas 3 muajsh modelin italian, i ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona. Bashkëlidhur gjeni pjesë nga prononcimi im i datës 28 Korrik 2020.” – mbyll qëndrimin e tij, Gjiknuri.