Vendosni fjalën kyçe....

Kosova mbi 1 miliard euro humbje në 6 muajt e Pandemisë


Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane kanë vlerësuar se gjendja ekonomike në Kosovës është rënduar shumë. Këto dy Oda kanë vlerësuar se mosmiratimi i projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike është goditje për shtetin. Nga fillimi i pandemisë e deri më tani, humbjet në ekonomi janë mbi 1 miliard euro.

Nga Prishtina, Fatos Shala

Nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më tani, kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj, humbjet e bizneseve në Kosovë janë mbi 1 miliard euro. Kjo gjendje po konsiderohet alarm për drejtuesit e shtetit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bëri të ditur se nëse nuk ndërhyhet, kolapsi ekonomik është i pashmangshëm, dhe sipas tij, do të ketë mbyllje të vendeve të punës dhe falimentim të bizneseve.

“Nga fillimi i pandemisë COVID-19, humbjet në ekonomi janë në vlerën 1 miliard euro, dhe duhet ndërhyrë shpejt për pjesën e përgjegjësisë që ka qeveria në adresimin e kësaj situate të rëndë. Nëse nuk intervenohet me mjete në ekonomi, gjatë fundit të këtij muaji dhe fillimi i tetorit, kolapsi është i pashmangshëm dhe mbyllja e vendeve të punës dhe bizneseve”.

Ai ka thënë se gjendja ekonomike është e rëndë dhe institucionet po tregojnë paaftësi për trajtimin e saj. Kurse, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, u shpreh se moskalimi i ligjit në Kuvend për rimëkëmbje është për keqardhje.

“Ky Ligj është mjaft me rëndësi për vendin, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të shkaktuar nga COVID-19. Debati në Kuvend është i natyrës politike. Kemi nevojë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe atij edukativ”.

Zeka ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, që sipas tij më shumë kanë qëndruar pushim se sa kanë kryer punë.

“Tash disa muaj, dy odat kanë bashkuar forcat në shumicën e rasteve për të adresuar problemet e sektorit privat gjatë pandemisë. Është për keqardhje, jo vetëm fakti që deputetët kanë qenë në pushim për më shumë se një muaj, por edhe që në seancën e parë pas kthimit nuk e votojnë një ligj, që është esencial për rigjallërimin ekonomik pas efekteve që ka shkaktuar pandemia. Hapen investime për mundësi të reja infrastrukturore që i nevojiten Kosovës, investime në transport dhe investime që e shndërrojnë Kosovën”

  • Projektligji
  • Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën 385 milionë euro. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmojë bizneset pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Deputetët dështojnë në rimëkëmbjen ekonomike

Në mungesë të kuorumit, deputetët e Kosovës sërish kanë dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Në seancë morën pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur në seancën e radhës.

Për mosvotimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, duke thënë se mosvotimi i tij është për keqardhje.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të dytën herë nuk e votuan Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili do t’u mundësonte qytetarëve qasje në 200 milionë euro nga kursimet e tyre. Madje, deputetët opozitarë, nga frika se ky Projektligj do të mund të kalojë nga deputetët nga radhët e pushtetit, për ta bllokuar aprovimin e tij, vendosin të mos marrin pjesë fare në votim”.

Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, bëri thirrje për votimin e tij. Projektligji parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10 përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensinonale (Trusti).

Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust, rishikimi i buxhetit, lehtësimi i qasjes në financim dhe mbështetja për punësim janë disa nga nëntë masat e parapara të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike të prezantuara në Programin Qeverisës 2020-2023 të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vjet, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19. Masa e pestë e kësaj pako parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi.

Në kuadër të pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

  • Humbjet
  • Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.

Loja me paratë e Trustit po vazhdon

Qeveria e Kosovës, në muajin korrik të këtij viti, e kishte miratuar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pati thënë se nëpërmjet këtij Projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.

Sipas Bajramit, përmes plotësimeve të bëra, qytetarëve të Kosovës do t’ju mundësohet tërheqja e kursimeve prej 10 për qind nga Trusti.

“Autorizohet Fondi Pensional i Kosovës dhe fondet tjera që brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij Ligji, t’ju mundësohet qytetarëve që t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Kjo tërheqje do të lirohet nga obligimet tatimore”, kishte thënë ajo.

Mirëpo, tani kur kanë kaluar më shumë se dy muaj, qytetarët e Kosovës ende janë duke pritur që t’i marrin këto para. Loja e deputetëve të Kosovës dhe drejtuesve te qeverisë me paratë e Trusit po vazhdon. Ata edhe këtë herë, me votat e tyre, i lanë qytetarët të presin për këto para. Muajin e kaluar, në mungesë kuorumi, nuk kishte kaluar Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro, me rreth 690 mijë kontributpagues. Vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë konsideruar se do të stimulonin kërkesën agregate në treg.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën 385 milionë euro. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmojë bizneset pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.

Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, në vlerë rreth 180 milionë euro. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, u miratua në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *