Kryeministri Rama ka pohuar mbrëmjen e sotme se qeveria e drejtuar prej tij nuk ka parashikuar një paketë të tretë ndihme ndaj biznesit e qytetarëve lidhur me pandeminë Covid-19.
Ai iu përgjigj nga makina pyetjeve të bëra nga qytetarët në Facebook, në komunikimin e përjavshëm.
“Kemi bërë më të mirën që kemi mundur jo më të mirën që do donim të bënim. E dimë që ka dhe më mirë. Jo vetëm pasojat e mbylljes nga Covid-19 por dhe pasojat nga tërmeti, ishin goditje për ekonominë dhe financat e vendit tonë. Për momentin nuk kemi parashikuar një paketë të tretë, nëse nuk do duhet të mbyllemi sërish.” – tha kryeministri.
Më tej kreu i qeverisë tha se vendi po rimëkëmbet, duke theksuar ndërtimin e shtëpive e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
Po kështu kryeministri tha se nuk sheh rikthimin e karantinës në vend siç ndodhi në javët e para të pandemisë.
“E vërteta tregon që po rimëkëmbemi. Se shtëpitë po ndërtohen, shkollat po ndërtohen, se gjithçka që humbëm po rikthehet me durim, me kohën e nevojshme dhe po rikthehet më mirë, më bukur, me më shumë qëndrueshmëri. Taksat për ju do jenë zero. Mos më thuaj a do na mbyllni përsëri. Nuk jam unë që ju kam mbyllur por domosdoshmëria. Sot nuk shoh një mbyllje të dytë në horizont.” – vijoi Rama.