Gazeta TemA ditën e sotme botoi një artikull ku thoshte se Presidenti Ilir Meta ka shkelur ligjin me dhënien e pasaportës shqiptare futbollistit të klubit Tirana në shkelje të ligjit.
“Lojtari i Tiranës, Winful Cobbinah, ka vetëm 2 vjet që jeton në Shqipëri. Për të marrë nënshtetësinë shqiptare, ai duhej të kishte të paktën 5 vite që jeton në Shqipëri. Por, Ilir Meta nuk do t’ia dijë për ligjet e vendit dhe në mënyrë të paligjshme ka vendosur t’i japë atij nënshtetësinë shqiptare”-thuhet në artikull.
Lidhur me këtë ka reaguar presidenca nëpërmjet, zëdhënësit të saj, Tedi Blushi i cili thotë se kjo gazetë e ka klasifikuar klubit e Tiranës si grup terrorist.
“Klasifikimi i ekipit të futbollit KF Tirana si grup terrorist, nga gazeta “Tema”, është një tjetër tregues i degradimit dhe urrejtjes të madhe që Rilindja ka ndaj çdo vlere kombëtare, një provokim banal dhe fyerje thellësisht e ulët, jo vetëm për lojtarët dhe tifozët e mrekullueshëm të këtij ekipi, por për të gjithë komunitetin e nderuar të tironasve.
Nuk është rastësi që aktiviteti sportiv i KF Tirana, ngatërrohet me atë terrorist, fill pas shpalljes së bojkotit të futbollistëve, pasi kjo gazetë, paradhomë e tualetit të Rilindjes, çdo mendim ndryshe nga Sekti, e klasifikon terrorizëm në kuadër edhe të tmerrit që ndjen nga humbja e afërt e të gjithë privilegjeve dhe kontrollit mbi Bashkinë e Këlcyrës dhe më gjerë.
Sa për akuzat mbi ligjshmërinë e dhënies së shtetësisë shqiptare për një futbollist të këtij ekipi, janë fund e krye të Mjera, (mjafton të lexosh me kujdes ligjin “Për shtetësinë”), pothuajse të përafërta me nivelin e akuzave të po kësaj gazete, dikur, për atësinë e djalit të KM në detyrë”-shkruan Blushi.