Qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit, Ganja, është bombarduar nga forcat armene në kohën kur po vazhdojnë përleshjet rreth rajonit të kontestuar të Nagorno-Karabakut.
Autoritetet e vetëshpallura në këtë rajon thanë se e sulmuan aeroportin ushtarak të Ganjas pasi forcat azere e bombarduan kryeqytetin rajonal, Stepanakert, shkruan BBC.
Në anën tjetër, Azerbajxhani tha se asnjë ndërtesë ushtarake në Ganja nuk është goditur nga sulmet. Ndryshe, më shumë se 220 persona janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit të armatosur para një jave.
Ekziston frika se numri i vërtetë i viktimave në mesin e personelit ushtarak dhe civilëve është më i lartë pasi shifrat e paraqitura nga palët e konfliktit nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Forcat e Azerbajxhanit thanë se e kanë rimarrë kontrollin në shtatë fshatra të dielën, ndërsa forcat lokale të përkrahura nga Armenia thanë se i kanë përmirësuar pozicionet në vijën e frontit.
Më herët gjatë kësaj jave, Armenia tha se është e gatshme të angazhohet me ndërmjetësit nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të arritur një armëpushim.
Ndërkohë Azerbajxhani, i cili përkrahet haptazi nga Turqia, e ka kërkuar tërheqjen e trupave armene nga Nagorno-Karabaku dhe zonat e pushtuara përreth këtij rajoni.