Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Të jemi të sinqertë e të pastër me popullin, kjo marrëveshje do respektohet 100% nga ne


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se shumica ka votuar ditën e sotme për emra ndaj të cilëve ka dyshime për integritetin moral e profesional, por e ka bërë këtë pasi ata janë propozuar nga PD-ja.

“Unë dhe çdo koleg i imi kemi qenë të detyruar të votojmë për njerëz, për të cilët unë vazhdoj të ruaj dyshimet e integritetit të tyre moral e profesional, por që janë ish-drejtorë doganash, etj, që nuk i kanë larë ende problemet me drejtësinë, por që janë njerëz të propozuar nga PD. Gjej rastin të falënderoj edhe deputetët zyrtarë të PD dhe LSI në këtë sallë, që votuan për këtë marrëveshje. Të jemi të sinqertë dhe të pastër me popullin, kjo është një marrëveshje, që respektohet 100% nga ne. Katër çështje të votuara sot janë të dakordësuara me PD dhe LSI. Çështja e pestë, që lidhet me Kodin Zgjedhor, kemi dakordësuar dhe votuar më 30 qershor disa elementë të kësaj.” – tha Balla.

Më tej numri dy i PS-së tha se ndryshimet e sotme kanë garantuar tre gjëra që janë hapja e listave, ulja e pragut zgjedhor dhe vota e sqiptarëve të diasporës.

“Tre gjëra janë garantuar: nuk është aspak e vërtetë të thuhet se listat nuk janë të hapura. Unë kam qenë i pari në listën e Elbasanit, mund të jemi i pari më 2021, por mund të dalë në fund të listës, nëse populli i Elbasanit nuk më jep votat e tij. Ne kemi bërë një lëshim, nuk e kemi marrë sistemin kroat të gjithin, sepse nuk vumë pragun 5%, siç e ka Kroacia, por propozuam 3% dhe në fund e çuam 1%. Dëgjova diskutimet, asnjëri nuk foli për votën e shqiptarëve, që jetojnë jashtë territorit. Ajo që na ndan ne me të gjithë partitë është se PS ka pasur e ka vetëm një çështje që lidhet me zgjedhjet: si t’u garantojmë ne atyre që jetojnë jashtë të drejtën e votës më 25 prill. Ne jemi shumë krenarë që qysh në ndryshimet e 23 korrikut kemi hapur çelësat që KQZ e re të fillojë menjëherë punën për të mundësuar votën e tyre më 25 prill.” – shtoi Balla.

Në fund ai tha se Partia Demokratike do i humbë sërish zgjedhjet edhe pse ka komisionet.

“Luli është një humbës, do të humbë sërish, por ne nuk mund t’i linim asnjë alibi atij për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit. Nëse nuk i linim komisionet, ai nuk merrte pjesë në zgjedhje. Tani ai i ka komisionet.” – theksoi Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *