Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Tiranë, është shprehur e keqardhur për votimin pa kompromis të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
BE-ja i bën thirrje palëve që të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme.
“Morëm njoftim mbi miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Kujtojmë se këto nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit.
Shprehim keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament.
Me gjithë rezultatin pozitiv të marrëveshjes mbi rekomandimet e OSBE / ODIHR-it të arritur më 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet.
Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit”-thuhet në deklaratën e Ambasadës së BE-së.