Seksioni shqiptar i shoqatës së Gazetarëve Europianë ka reaguar për përjashtimin e gazetares Ambrozia Meta nga diskutimi me gazetarët i kryeministrit Edi Rama.
AEJ shpreh shqetësimin se kjo ngjarje tregon diskriminimin nga partitë politike të mediave kritike.
“Shqetësimi ynë lidhet me përjashtimin e gazetares së televizionit Syri, nga një aktivitet politik i Partisë Socialiste.
Episod që tregon se media, sidomos ajo kritike diskriminohet në mënyra të padrejta. Ne i bëjmë thirrje partive politike të tregohen me transparente me median dhe të respektojnë gazetarët.
Fatkeqësisht ky është një fenomen që po përhapet ndjeshëm kohët e fundit si te partia në pushtet por edhe te ato opozitare.” – thotë Shoqata e Gazetarëve Europianë në Shqipëri, e cila i bën apel faktorit politik, të kenë më kujdes në respektimin e të drejtave të gazetarëve si një nga të drejtat themelore për një shtet demokratik ku shoqëria aspiron.
Gazetarja Ambrozia Meta zbuloi ditën e djeshme se nuk u lejua të merrte pjesë në diskutimin e Ramës me gazetarët.
Ajo ka pyetur pranë kordinatores së Ramës për shtyp, mëngjesin e së dielës nëse Rama do të zhvillonte bashkëbisedim me gazetarët, por kordinatorja i la të kuptonte se nuk do kishte prani të gazetarëve.
Por ajo që ndodhi ishte krejt ndryshe, dhe për këtë gazetarja e SYRI TV tha se koordinatorja e gënjeu vetëm pak para se kati i parë i selisë rozë të mbushej me gazetarë.