Shoqata e Gazetarëve Europianë ka dënuar sulmin e Presidencës ndaj gazetës “Tema” të Mero Bazes.
Në një njoftim për mediat, dega e kësaj shoqate në Shqipëri, shprehet e shqetësuar për klimën e ushtrimit të profesionit të gazetarit në Shqipëri. AEJ e konsideron të tepërt dhe fyes reagimin e e presidencës ndaj gazetës.
“Shoqata e Gazetarëve Europian seksioni shqiptar, shpreh shqetësimin për dy episode shumë të rënda, të ndodhura këtë fundjavë ndaj medias, çfarë tregojnë për një klimë aspak normale në të ushtruarit e profesionit të gazetarit.
AEJ Shqipëri, e konsideron të tepërt dhe fyes, reagimin e Presidencës ndaj Gazetës Tema. Institucionet publike nuk duhet të reagojnë në asnjë rrethanë në shkelje të etikës dhe aq më tepër të fyejnë një media, pavarësisht qëndrimeve të kundërta.
Beteja e institucioneve publike në Shqipëri, nuk është me median, por me të vërtetën dhe transparencën.” – thuhet në njoftim.
Ky reagim vjen pas një shkëmbimi të gjatë akuzash mes gazetës dhe zëdhënësit për shtyp të presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi.
Gazeta Tema kishte kritikuar presidentin pse ai i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare një futbollisti në shkelje me ligjin, dy javë pasi ai ka ardhur në vend.
Në shkrimin e gazetës Tema argumentohej se për të dhënë dekretin e nënshtetësisë për një shtetas të huaj, duhen të paktën 5 vite qëndrim dhe më pas gazeta shkruante se në rast se operohet në këtë mënyrë në dhënien e nënshtetësisë, atëherë çfarë filtrash mbrojtës do kishte Shqipëria në rastin kur nënshtetësinë mund ta synojë edhe një terrorist.
Artikulli u keqinterpretua qëllimisht dhe u nxorr jashtë kontekstit nga zëdhënësi i institucionit kushtetues të Presidencës, Tedi Blushi, i cili akuzonte Gazetën Tema se ajo e kishte akuzuar ekipin e Tiranës si klub terrorist.
Shqetësimi i dytë lidhet me përjashtimin e gazetares të televizionit Syri, Ambrozia Meta nga një aktivitet politik i Partisë Socialiste.
“Episod që tregon se media, sidomos ajo kritike diskriminohet në mënyra të padrejta. Ne i bëjmë thirrje partive politike të tregohen me transparente me median dhe të respektojnë gazetarët.
Fatkeqësisht ky është një fenomen që po përhapet ndjeshëm kohët e fundit si te partia në pushtet por edhe te ato opozitare.” – thotë Shoqata e Gazetarëve Europianë në Shqipëri, e cila i bën apel faktorit politik, të kenë më kujdes në respektimin e të drejtave të gazetarëve si një nga të drejtat themelore për një shtet demokratik ku shoqëria aspiron.