Duke nisur nga e marta, Parisi do të mbyllë të gjitha baret ndërsa qeveria franceze ngre alarmin e koronavirusit në qytet në maksimum pas një periudhe të qëndrueshme të niveleve të infektimit.
Zyra e Kryeministrit Jean Castex njoftoi se detajet e plota të kufizimeve të reja do të njoftohen gjatë ditës së sotme dhe do të zgjasin për dy javë.
Ditën e dielë Franca raportoi 12,565 raste me Covid-19, shkruan BBC. Masat e reja kufizuese në Paris vijnë një javë pas mbylljes së lokaleve në Marsejë.
Niveli maksimal i alarmit në Francë hyn në fuqi kur shkalla e infeksionit në një lokalitet tejkalon 250 për 100,000 njerëz dhe të paktën 30% e shtretërve të kujdesit intensiv janë të rezervuara për pacientët Covid-19.
“Këto masa, të domosdoshme në luftën për të frenuar përhapjen e virusit, do të zbatohen në Paris dhe tre departamentet që e rrethojnë menjëherë, për një kohëzgjatje prej dy javësh”– shpjegoi zyra e kryeministrit.
Restorantet në qytet do të duhet të vendosin rregulla të reja sanitare në mënyrë që të qëndrojnë të hapura dhe sallat e leksioneve universitare nuk duhet të jenë më shumë se gjysmë të mbushura.
Por restorantet që shërbejnë ushqim, si dhe alkool mund të qëndrojnë të hapura, për sa kohë që regjistrojnë detajet e kontaktit nga klientët dhe mbyllin dyert e tyre në orën 22:00.
Puna nga shtëpia duhet të ketë përparësi “tani më shumë se kurrë”, thuhet në deklaratë.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin pranoi se mbyllja e bareve do të ishte e vështirë për parisienët. “Ne jemi francezë, ne duam të pimë, të hamë, të jetojmë, të buzëqeshim dhe të puthim njëri-tjetrin”– i tha ai të dielën kanalit francez TV LCI dhe Europe 1.