Ambasada e Shtetetve të Bashkuara të Amerikës është shprehur e zhgënjyer nga votimi i njëanshëm i ndryshimeve për Kodin Zgjedhor.
Në një deklaratë publike, ambasada thotë se shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar të vetë shumicës në Këshillin Politik.
Por në deklaratë thuhet se ndryshimet shtesë ishin të njëanshme dhe nuk u shkel marrëveshja e 5 qershorit.
“Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar”-thuhet në deklaratë.