Vendosni fjalën kyçe....

Zhdukja e tre të rinjve/ Babai i dëshpëruar i lutet ministrit Lleshaj: Edhe nëse është i dekun, ma sill në shtëpi


Familjarët e tre kushërinjve të zhdukur në Malësi të Madhe kanë frikë se djemtë e tyre janë vrarë.
Nëna e Klement Pepajt, një nga tre të rinjtë e zhdukur, thotë se djali kishte dalë për të pirë kafe në lokalin e lagjes dhe kjo ka qenë hera e fundit që ka komunikuar me të.

“Tha se po dal të pi një kafe dhe po vij. Nuk kemi ditë gjë, vetëm kur ka ardhur policia në 3 të natës. Atë natë, nuk kishim drita dhe u ulëm me fjet. Kur këqyrëm, nuk ishte djali aty. Shkuam në komisariat. I kallëzuam çfarë ditëm. Ne nuk dinim kurrgjë.”- tregon nëna.

Babai i Klementit gjithashtu ka folur para kamerave për dyshimet e tij.

Nush Pepaj thotë nuk di asgjë për fatin e djalit të tij Klementit, i zhdukur prej së shtunës, por ka dyshime se djali i tij mund të jetë vrarë nga Danjel Pepaj, 25 vjeç, i afërm i tyre.

Ai kërkon nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj se nëse i biri është vrarë t’i sjellin trupin e pajetë në shtëpi.

“Denoncimin e bëri vëllai i Vilson Çutës. E ka marrë në telefon dhe nuk i ka dalë. Kanë marrë në drejtim të malit siç thonë dhe asnjëri nuk është kthyer. Klementi ka ardhur para një viti pasi e ekstraduan nga Zvicra.
Kam frikë mos ma ka impliku kush në ndonjë problem. Sipas versionit që i kanë dhënë policisë disa bashkëfshatarë, thonë se ka pasur probleme droge. Djali i djalit axhës është parë me armë, Danjeli. Nëse më ka ba ai, unë nuk mund t’ia bëj armikut. Unë i kërkoj ministrit të Brendshëm që të vërë në dispozicion çdo mjet, që edhe në qoftë se është i dekun të bien kufomat te shpia. Këtë i kërkoj ministrit, forcave të rendit. Se kanë konflikte nuk e kam ditë. Këta në Malësi të Madhe më kanë thënë se ka pasur konflikt.
Kam pas kontakte me djalin e axhës në Malësi të Madhe. Ai tha se për dy javë djalin nuk e ka pa. Ai e ka ditë se djalin e ka në Shqipëri. Dyshimet më të mëdha tek Danjeli i kam. Ndoshta gaboj.”– u shpreh z.Pepaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *